Kryesore Procesi zgjedhor, Berisha: Hedh poshtë këtë farsë elektorale

Procesi zgjedhor, Berisha: Hedh poshtë këtë farsë elektorale

Sali Berisha e ka konsideruar këtë proces zgjedhor një farsë elektorale.

Përmes një deklarate për shtyp, ai akuzoi mazhorancën se ka manipuluar zgjedhjet në shumicën e bashkive.

“Narko shteti i parë dhe i vetëm në Europë, industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi votën e shqiptarëve, janë të panumërta aktet, veprimet të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve narko-shteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë.

Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, është një moment agonie, për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale e karakterizuar nga alfa te omega, nga krimi shtetëror dhe krimi ordiner“, u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër, ai u bëri thirrje komisionerëve të opozitës të vijojnë me detyrën e tyre në qendrat e votimit.

“Jam këtu gjithashtu për të bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit të vazhdojnë me detyrën e tyre, pasi është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e votës.

Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisioneri për faktin e vetëm që duan me çdo kusht të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki. Shpreh solidaritetin tim me komisionarin dhe gjithë të tjerët që në këto kushte po përmbushin detyrën e tyre“, tha Berisha.