Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet vendore Audrey Glover ka dalë këtë të hënë me një raport paraprak për 14 Majin 2023.
Në konferencë për mediat, Glover u shpreh se dita e zgjedhjeve lokale ishte përgjithësisht paqësore, por megjithatë pati ndërhyrje partiake dhe raste të votimit në grup.
Po ashtu, ajo theksoi se fenomeni i blerjes së votës dhe keqpërdorimi i burimeve publike mbeten shqetësuese.
“Ju falënderoj shumë me të vërtet për pjesëmarrjen tuaj këtu sot. Do të prezantojmë konkluzionet paraprake, unë jam këtu sëbashku me përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, më lejoni të filloj.
Zgjedhjet vendore të 14 Majit në përgjithësi u administruan mjaft mirë, ishin konkurruese dhe në to morën pjesë forcat kryesore politike. Por, procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike dhe një ndarje e thellë brenda opozitës. Kandidatët bënë fushatë lirisht, por rastet e keqpërdorimit të burimeve publike, pretendimet për presion te zgjedhësit si dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese.
KQZ bëri punë transparente dhe efikase, por pati zëvendësime të shpeshta të komisionerëve. Përdorimi i shpeshtë nga mediat i filmimeve të partive në programet e lajmeve, cenoi ndarjen e kohës gjithëpërfshirëse dhe objektive të transmetimit të fushatës. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, por pati ndërhyrje partiake, probleme teknike, votim në grup dhe probleme me fshehtësinë e votës. Numërimi i votave u vlerësua pozitivisht. Së pari dua të them disa fjalë për misionin tonë. Janë zgjedhjet e 16-ta që ODIHR vëzhgon, me 14 ekspertë nga 12 shtete, që nga krijimi ne kemi pasur sektorin tonë të monitorimit të medias, partive, ambasadave dhe OJQ-ve. Një javë pas mbërritjes na u bashkuan 24 vëzhgues afatgjatë, pak para zgjedhjeve na u bashkuan dhe disa vëzhgues afatshkurtër”, u shpreh Glover.
Glover: Sulme të forta verbale nga liderët e partive
Audrey Glover, shefja e misionit të OSBE-ODIHR në Shqipëri, në prezantimin e raportit paraprak të zgjedhjeve vendore të 14 Majit në vendin tonë, tha se liderët politikë bënë sulme të forta verbale.
Sipas saj, fushata ka qenë kryesisht e qetë, ndërsa kandidatët nuk bënë ballafaqime me njëri-tjetrin por përdornin rrjetet sociale.
Audrey Glover: “Fushata filloi më 14 Prill dhe u dominua nga liderët e partive duke marrë pak në konsideratë interesin e zgjedhësve. 40% e votuesve potencialë jetojnë jashtë vendit.
Ka 92 KZAZ dhe 5212 KQV. Krijimi i këtyre komisioneve ishte problematike për shkak të mosplotësimit nga partitë.
Fushata ka qenë kryesisht paqësore megjithëse pati sulme të forta verbale nga liderët e partive të cilat shpesh ishin të rënda. Fushata ka qenë relativisht e qetë.
Kandidatët nuk kanë zhvilluar debate me njëri-tjetrin por kanë përdorur rrjetet sociale.
Lidhja e mediave me partitë kryesore politike shkakton ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë editoriale. Përdorimi i pamjeve të përgatitura nga partitë është shqetësuese sepse rezulton në reklama politike. Ka patur dhe sulme ndaj gazetarëve edhe shpifja ende është krim i dënueshëm. Media nuk ka bërë raportime për zgjedhjet.
Po studiojmë dhe votimin elektronik. Shqetësimi ynë më i madh është se deri në çfarë mase u është bërë presion të punësuarve në administratën publike”.
Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR do të dalë pas disa muajsh së bashku me rekomandimet.