Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat, tha se procesi i numërimit për kryetar ka përfunduar zyrtarisht në 44 bashki të vendit.
“Po jap listën e bashkive në të cilat ka përfunduar procesi i numërimit të votave: Bashkia Vlorë, Korçë, Berat, Lushnje, Maliq, Sarandë, Kuçovë, Vau Dejës, Cërrik, Patos, Devoll, Librazhd, Rrogozhinë, Dimal, Finiq, Peqin, Bulqizë, Mirditë, Selenicë, Gramsh, Belsh, Roskovec, Himarë, Përrenjas, Tropojë, Dropull, Has, Përmet, Memaliaj, Klos, Kolonjë, Delvinë, Skrapar, Poliçan, Tepelenë, Pukë, Konispol, Këlcyrë, Fushë Arrëz, Libohovë, Pustec, Kamëz, Elbasan dhe Vorë. Pra janë 44 bashki në të cilat ka përfunduar procesi i numërimit për kryetar”.
Bashkitë ku kanë mbetur nga një qendër votimi, sipas kryekomisionerit janë Divjaka dhe Shkodra. 2 qendra kanë mbetur në Lezhë dhe në Dibër. Sa i përket procesit të numërimit për Këshillat Bashkiakë, ai ka përfunduar në Elbasan, Kamëz, Vorë, Pustec dhe Libohovë. Për 2 qendra votimi është në Poliçan.
Në lidhje me pjesëmarrjen në këto zgjedhje, Celibashi tha se ajo është 37.9 përqind.
“Ne kemi 4835 qendra votimi për të cilat përqindja për këto qendra është 37.9 %, gjithmonë duke e bërë këtë raport me numrin total të zgjedhjeve të qendrave të votimit të cilat janë raportuar”.
I pyetur nga gazetarët sesi do të funksionojë procesi ankimimeve nga subjekte zgjedhore, Celibashi tha:
“Shpresojmë që të përfundojë procesi i numërimit sot dhe të bëhet tabulimi i rezultateve dhe duke filluar nga dita e nesërme, çdo subjekt që ka pretendime ka të drejtën të paraqesë ankim në KQZ dhe KAS është organi që shqyrton ankesat në këtë rast”.