Politika A duhet të largohet Berisha? Edi Paloka: Asnjë hap pas

A duhet të largohet Berisha? Edi Paloka: Asnjë hap pas

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një prononcim për gazetarët teksa po futej në Kuvend këtë të enjte është pyetur në lidhje me situatën në selinë blu pas humbjes në zgjedhjet e 14 Majit.

Paloka u shpreh se PD duhet të marrë përgjegjësinë për t’u përballur me një qeveri, që sipas tij manipulon zgjedhjet. Ku u pyet nëse Sali Berisha duhet të largohet nga drejtimi i partisë ai u përgjigj se nuk duhet bërë asnjë hap pas.

Edi Paloka: Ne do rregullojmë defektet tona. Problemi kryesor është ai që e kam thënë dhe herë tjetër. Ne e dimë realitetin. Kjo qeveri është e dimë që i vjedhin, i manipulojnë zgjedhjet. Ne duhet të marrim përgjegjësinë për t’u përballur me këta. Zgjedhjet ju i patë vetë si shkuan. Përgjegjësitë tona janë ato që sapo ju thashë dhe që i kam thënë disa herë. Ne përballemi me një realitet që është ky, një qeveri që vjedh dhe manipulon, përdor çdo mënyrë për të vjedhur votat e shqiptarëve. Po pra përgjegjësia jonë është që ne ose përballemi me këtë realitet, me të gjitha mënyrat si duhet të përballesh me një qeveri që nuk bën zgjedhje sepse këtu nuk ka zgjedhje, ose pastaj le të shkojmë të gjithë në shtëpi të gjithë dhe ata që dinë ta ruajnë lopën le të vijnë dhe ta ruajnë.

-Po zoti Berisha a duhet të bëjë një hap pas, a duhet të largohet?

Edi Paloka: Asnjë hap pas. Gjithë synimi i atyre që bëjnë gjithë këtë luftë që të ikë Berisha është që ta lemë PD-në të shkalafitet fare sepse gjithë loja që ka bërë Rama me Alibeun dhe me të tjerët kjo ka qenë, që të bëjë një opozitë që të jetë sa më e pafuqishme përballë makinerisë manipuluese së kësaj qeverie. Ju thoni hajde t’ia japim edhe një dorë Ramës dhe pastaj të ikim të gjithë, të marrim rrugët.

Paloka u pyet edhe për Enkelejd Alibeajn. “Alibeaj mbaroi misionin, aq ia kishin caktuar”, u shpreh Paloka.

Sa i përket rezultatit të koalicionit në zgjedhjet e 14 Majit, Paloka tha: Koalicioni Bashkë Fitojmë mori 500 e ca mijë vota në një vend ku u bë gjithçka, pa pasur komisionerë, pa pasur numërues, pa pasur asgjë.

Më tej Paloka shtoi: “Nëse vazhdohet me këtë frymë dhe gishti i drejtohet viktimës, aty kemi mbaruar të gjithë. Si mund të vazhdohet, do t’i vëmë shkelmin opozitës apo do gjenden mënyra për ta shpëtuar këtë vend. Ata që shiten për 5 mijë lekë për fat të keq s’kanë as televizor, u shkon rilindasi i lagjes, ata as e njohin kryeminisrin. Nëse jam unë problemi, këtu është zgjidhja më e thjeshtë. Kur them unë, e kam fjalën për ne të vjetrit, ky Rama i riu ka 25 vite në pushtet, ky është e ardhmja? Unë që s’kam qenë një ditë në pushtet unë jam i vjetri ë?!”