Kreu i PBDNJ Vangjel Dule nga Kuvendi kërkoi që Fredi Beleri nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ i cili fitoi zgjedhjet lokale në Himarë, duhet të dalë nga burgu e të vendoset në krye të detyrës.
Në fjalën e tij ai tha se Beleri është i burgosur politik, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për arrestimin e tij.
Ai shtoi se së bashku me Belerin është marrë peng dhe Pandeli Kokaveshi me të njëjtat akuza absurde.
“Kush nuk shkon pas ujërave të komandantit, ndëshkohet. Komuniteti që guxon të krijojë liri do e paguajë. Ai që i prin komunitetit në kërkim të demokracisë, ai burgoset. Fredi Beleri është i burgosur politik, është rrëmbyer nga sekti i rilindjes, është marrë peng nga Rama. Fjalën e ka drejtësia po ka dhe një logjikë opinioni. Flagranca supozon faktin e kryer, ndërsa dyshimi është dyshim. Beleri duhet të shkojë në mes të komunitetit himariot që e zgjodhën të parin e tyre. Janë njerëz të lirë dhe kërkojnë lirinë. Së bashku me Belerin është marrë peng dhe Pandeli Kokaveshi me të njëjtat akuza absurde”, tha Dule.