Bota Nuk ka asnjë re bërthamore nga Ukraina në Europë (pavarësisht fjalëve të...

Nuk ka asnjë re bërthamore nga Ukraina në Europë (pavarësisht fjalëve të “fajkoit” të Putin)

“Një depo municionesh me uranium të varfëruar, të cilat ishin dërguar në Ukrainë nga perëndimi, është shkatërruar gjatë një bombardimi rus”.

Ky ishte njoftimi që erdhi nga Moska, e cila përmes kreut të këshillit të sigurisë, Nikolai Patrushev, paralajmëroi se, si pasojë është krijuar një re radioaktive që po lëviz drejt Europës.

Sipas tij, një rritje e nivelit të radioaktivitetit është vërejtur në Poloni. E teksa i bie kambanave të alarmit nuklear, me qëllimin për të fajësuar perëndimin për furnizimet me armë në Ukrainë, Moska e drejton veçanërisht gishtin nga Shtetet e Bashkuara.

Siç citohet në mediat ruse, ai tha depoja ruante municion bërthamor me uranium të varfëruar që kishte mbërritur nga Britania e Madhe, që ka njoftuar që në Mars se do ta pajiste Ukrainën me municione të tilla.

Në rrjetet sociale po ashtu qarkullojnë lajme të pakonfirmuara se shpërthimet kanë krijuar një re me rrezatim bërthamor në këtë zonë, që ka mbërritur deri në Poloninë fqinje, kufiri me të cilën ndodhet 300 kilometra në perëndim të Kmeminskit.

Megjithatë, Agjencia Kombëtare Polake e Energjisë Bërthamore refuzoi kategorikisht vërtetësinë e këtyre lajmeve, që i quajti “dezinformim”, që në këtë rast është përhapur nga Rusia.

Sipas matjeve të kësaj agjencie, në territorin polak ka pasur luhatje të rrezatimit bërthamor por në nivele tepër të ulëta që nuk janë të rrezikshme për njeriun dhe që ndodhin zakonisht.

Ndërkohë, Nikolai Patrushev, konsiderohet tashmë më shumë se një fajkua i presidentit rus, Vladimir Putin, është një shpërndarës i shumë teorive konspirative dhe lajmeve të rreme që i përdor tashmë për të ngjallur frikën atomike.