Avokati i Fredi Belerit thotë se kërkuan lehtësim të masës së sigurisë nga GJKKO për Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin. Për këtë të fundit thanë se paraqitën edhe dokumente shëndetësore.
Sa i përket listës me personat që dyshohet të ketë paguar Beleri për shitblerje vote, thotë se policisë ia ka dhënë i infiltruari.
“Fredi Beleri kërkoi vetëm drejtësi nga gjykata. Më absurdja ishte që Kokaveshi në gjendje të rëndë shëndetësore, menduam që mund të kishte marrë një masë më të lehtë, se ka kryer dhe transplant. Asgjë nuk paraqitën, ne dorëzuam dokumente shëndetësore. Policisë ia ka dhënë i infiltruari listën, se në dosjen e policisë nuk gjendet kjo listë. Ta ripyesin atë person, ta pyesin se ku i ka gjetur, pasi i arrestuari pretendon se nuk i ka dhënë asgjë të tillë. Plus që edhe mospërputhje kaq të mëdha në dëshminë e tij, saqë duket realisht e pabesueshme”, tha avokati.
Tashmë që klienti juaj është përzgjedhur kryebashkiak i Himarës, si do të procedohet me marrjen e mandatit?
“Atë kur të dalë Kryeministri pyeteni se si do e vazhdojë, sepse ne kemi punë me burgun vetëm”.
Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, në zgjedhjet e 14 majit, u arrestua në minutat e para të 12 majit, për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Sipas Prokurorisë së Vlorës, Beleri ka dhënë dhe i ka premtuar shuma monetare personave të ndryshëm, me qëllim blerjen e votës.
Akuza ndaj tij u mbështet në disa filmime dhe përgjime mes tij dhe një të infiltruari, të cilit iu premtuan 400 mijë lekë të vjetër për 8 vota. Avokati i Belerit pretendoi se akuzat ndaj klientit të tij janë të montuara dhe të motivuara politikisht.