Historiani Pëllumb Xhufi i ftuar në “Shqip” ka folur për Himarën e kohën e Mesjetës.
“Ishte pjesë e një treve, ajo e Labërisë e cila përfshinte rreth 60 fshatra, ku zemra ishte Himara. Historia e Mesjetës së kësaj treve të Labërisë nuk mund të kuptohet pa Himarën. Himara ka qenë qendra e kryengritjeve.
Mjafton të kujtojmë një fakt. Mbas vdekjes së Skënderbeut, djali i tij Gjoni erdhi sepse e thirrën banorët e Himarës. Ai shkoi bashkë me dy kushërinj të tij, dhe u vunë në krye të kësaj kryengritje.
Kryengritja përfundoi me zënien rob të sanxhakbeut të Vlorës që vajti për ta shtypur atë kryengritje. Ata e zunë rob dhe e çuan si trofe te mbreti i Napolit.
Po të shkosh sot në fshatin e Shirgjit, që dikur ishte qytet, do të shihni kishën e Shirgjit. Shirgji ka qenë një shenjtor i nderuar në trevat shqiptare, është edhe në Çamëri.
Kisha e Shirgjit ekziston akoma edhe sot dhe në postën e hyrjes ka të gdhendur dy shqiponja me dy krerë me kurorë mbretërore. Kjo ishte stema e pasardhësve të Skënderbeut nga Italia.
Identifikimi i himarjotëve me familjen Skënderbeu vazhdon në vitin 1589-të, kur i shkruan Papës, Gregori 13-të që: Ne himarjotët jemi bijtë e Skënderbeut, ne kemi luftuar me Skënderbeun dhe ai ishte mbreti ynë”.
Edhe më vonë ka dokumente pafund. Shumë prej tyre i kam përdorur edhe unë në një libër për arbrit e jugut që i kam gjetur në arkivat e Venedikut. Aty i ke me emra, edhe emra të sotëm që kanë himarjotët, por janë edhe letrat që i shkruanin vetë, Bajliut të Korfuzit, mbretit të Napolit, mbretit të Spanjës e deri të mbreti i Austrisë, ku prezantohen gjithmonë si shqiptarë. Nuk prezantohen si popull me vete, e as si grekë”, tha Xhufi.