Ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë këtë të mërkurë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku foli në lidhje me aksionin opozitar.
Berisha në fjalën e tij theksoi se kryefjalë e deputetëve të opozitës duhet të jetë farsa elektorale e 14 majit.
Ai shtoi se deputetët demokratë do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor në lidhje me blerjen e votave në 14 maj.
“Ne kemi vendosur dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën ligjore të trajtimit, krejtësisht pa asnjë lloj reflektimi tjetër, përveç atij që shprehu Edi Rama se Kodi Zgjedhor është kinezëri. Është kinezëri për KQZ-në, për gjykatën që ka ngritur, pa le më për SKAP-in e partisë që është institucioni më i skllavëruar.
Çdo padi e jona është hedhur poshtë me absurditet, pa asnjë bazë ligjore nga SKAP-i i partisë.
Për SKAP-in rëndësi ka urdhri i Ramës. Po marrim vetëm aktin e blerjes së votës me shpërblim, me ryshfet të 670 mijë zarfave.
SKAP-i thotë se kjo lejohet në zgjedhjet lokale pasi kështu ka thënë KQZ-ja.
A ka dhunim më flagrant të ligjit se ky?
Kushtetuta kurrë në asnjë vend nuk mund të ndajë blerjen e votës në zgjedhje të përgjithshme dhe në zgjedhje lokale, përveçse në Shqipëri. Këtë e sanksionon Edi Rama, që thotë se Kodi Zgjedhor është një kinezëri.
Të gjitha çështjet e dërguara, janë kthyer mbrapsht pasi porosia është e prerë. Ata mund të jenë vetëm mburojë e narkoshtetit, karteleve të drogës dhe bandave të tyre.
Prandaj, të dashur deputetë, duhet me urgjencë të përgatisim kërkesën për komision hetimor parlamentar për këtë farsë, më e turpshmja elektorale në historinë e Europës.
Ne po përgatisim raportin. Bota e krimit u vërsul e tëra kundër nesh.
U sollën bandat nga Dubai sepse i mungonin Durrësit, Lushnjes. U liruan nga burgu të tjerë. U përdor vota e të burgosurve për të marrë mandate.
Burgje që votonin 100 përqind, njëlloj si në diktaturë për qeverinë. Nuk kishte ndodhur kurrë.
Në burgun e grave në Tiranë, 45 vota për hajdutin Erion Veliaj dhe vetëm vota e vëzhguesit për Belind Këlliçin.
Ulsi Manja është një kriminel i pakorrigjueshëm elektoral. Ai ka përdorur administratën e burgut për të terrorizuar të burgosur. Të burgosurit për krime të rënda janë kërcënuar se në rast se nuk bindin, nuk garantojnë kaq vota në burg, do transferohen në regjim special.
Komisioni hetimor do i nxjerrë të gjitha këto. Të gjitha këto janë të dokumentuara, se si kanë vepruar këta bosë nëpër burgje për të siguruar votat nëpër burgje”, tha Berisha.