Massimiliano Allegri u rikthye te Juventusi si trajneri i tretë me numrin më të madh të trofeve të sjellë në vitrinën bardhezi: 11, duke përfshirë titujt e Serie A (5), Superkupën e Italisë (2) dhe Kupën e Italisë (4). Ai renditej pas vetëm Trapattonit (14 trofe) dhe Lippi (13). U rikthye me synimin për tejkalimin e tyre.
Dy sezone më vonë, jo vetëm që nuk i ka kaluar, jo vetëm nuk i ka arritur, por është ende aty. Zero tituj, ndryshe nga paraardhësit e tij Sarri (titulli kampion) dhe Pirlo (Kupa dhe Superkupa e Italisë). Përtej shënimit të thjeshtë të provave, është konsultimi i librave të shenjtë ai që ndihmon për të nxjerrë përfundimet.
Analet e historisë së “Zonjës së Vjetër” tregojnë për një rregull shtëpie, të pashkruar, por të kristalizuar nga praktika: dy sezone pa trofe te Juve janë sinonim i lamtumirës me trajnerin. Më konkretisht, vetëm një herë në historinë e Juventusit ka një trajner që nuk ka fituar për dy sezone (zero tituli) dhe më pas mbeti në stolin bardhezi për të tretin. Kjo ka ndodhur një shekull më parë.
MË SHUMË SE DY SEZONE – Para Allegrit, lista e trajnerëve që qëndruan në krye të Juventusit për më shumë se dy vite (sezone) përfshin Conte (2011-14), Lippi (1994-99 dhe 2001-05), Trapattoni (1976-86 dhe 1991-94), Vycpalek (1971-74), Herrera (1964-69), Borel (1942-46), Rosetta (1935-39), Carcano (1930-35) dhe Karoly (1923-26).
Të gjithë të aftë për të fituar një trofe, edhe ata që janë kthyer, si Trapattoni dhe Lippi, kanë pasur gjithashtu sukses në rikthimin e tyre. Të gjithë, përveç Felice Borel (tre tituj bardhezi dhe kampion bote me kombëtaren e vitit 1934 si lojtar).
Prania e emrit të tij është mashtruese, sepse ishte në krye të Juventusit si lojtar-trajner për katër vite, por në realitet për shkak të luftës kishte vetëm dy kampionate (1942-43 dhe 1945-46, të dyja herë nënkampion pas Torinos), me dy vite pezullim në mes prej luftës. Dy sezone pa trofe dhe Juve ndryshoi, në atë rast duke u mbështetur te Renato Cesarini.
PRECEDENTI I VETËM – Megjithatë, në fakt ka një trajner që qëndroi në stolin e Juventusit për një sezon të tretë, pasi nuk fitoi asgjë në dy të parët. Dhe këtu duhet të kthehemi në mjegullën e një shekulli më parë (ose pothuajse). Për të qenë të saktë, të kthehemi te trajneri i parë profesionist në historinë e Juventusit: hungarezi Jeno Karoly.
I ardhur në krye të bardhezinjve nga Savona, që e kishte sjellë në Itali, mbeti pa fituar në 1923-24 (vendi 5 nga 12 skuadra në Grupin B, titullin e fitonte Genoa) dhe në 1924-25 (vendi 3 nga 13 skuadra në Grupin B, titullin e fitonte Bologna). Megjithatë, ai mbeti në stolin e Juventusit në 1925-26.
Duhej ta mbyllte këtë eksperiencë me titullin kampion, i dyti në historinë e Juventusit, sikur të mos ishte për një kthesë tragjike. Karoly nuk e përjetoi atë kampionat në fund, sepse pësoi atak në zemër pak ditë përpara se të fitohej finalja e Ligës Veriore kundër Bologna. Ishte bashkatdhetari i tij Jozsef “Giuseppe” Viola, si lojtar dhe trajner, që e çoi Juventusin drejt trengjyrëshit italian, i dyti në historinë e klubit.
PO TANI – Fakti mbetet se nuk ka ndodhur qysh atëherë më kurrë që Juventusi të mbajë një trajner për të tretin sezon, pa fituar asnjë trofe në dy të mëparshmit. Është një klub që iu jep kohë teknikëve të vet, por te Juventusi durimi zgjat vetëm dy sezone. Kaq sezone kanë kaluar tashmë me Allegrin e rikthyer. Për të qëndruar, nëse i referohemi historisë së Juventusit, atij i duhet një përjashtim nga rregulli….