Nga Lutfi Dervishi
Nëntë muaj më parë – u mbars mali dhe sot polli një mi.
Sot gjykata la të lirë dy rusët dhe një ukrainas të arrestuar për spiunazh për foto apo video që i kishin bërë uzinës së Gramshit.
Ngjaja e dyshimtë sepse “heronjtë” ushtarë që mbrojtën uzinën në Gramsh nga fotografimi i “agjentëve” u futën në karantinë nga autoritetet që mesa duket e kanë ditur realisht se çarë ka ndodhur që në minutën e parë.
Por, me idenë që propaganda luftohet me më shumë propaganda, nuk u hoq dorë nga marrëzia menjëherë, por vijoi me teatrin e vizitave në spital dhe deklaratave (me shkrim) për median. Gjeneral brigade vizitoi dy ushtarët në spital, ministri shkoi dhe konstatoi vetë se “pavarësisht faktit se u sulmuan me agjent neuroparalizues” ushtarët janë në gjendje të mirë.
“Mirënjohje dy ushtarakëve tanë që sakrifikuan për të ruajtur një objekt strategjik siç është uzina e Gramshit. Bisedova me ta dhe u garantova mbështetjen e pakursyer timen dhe të Ministrisë së Mbrojtjes”, shkruan ministri.”
Jo vetëm ministria e Mbrojtjes, por sipas medias në stilin “kam burimet e mia”, edhe SHISH ishte mobilizuar për këtë ngjarje të “rëndë” “ burime bëjnë me dije se Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) ka dyshime se shtetasit rusë dhe gruaja e ndaluar janë agjentë të shërbimeve sekrete ruse”.
Ajo çfarë ka ndodhur mund të jetë një histori banale.
Viktima të kësaj komedie tipike propagandistike këto nëntë muaj duket se kanë qenë të ndaluarit, me gjasë blogerë, dhe e vërteta.
Sa për fotot e uzinës “strategjike” të Gramshit çdokush me një celular dhe një aplikacion (google earth pro) mund të sodisë Gramshin dhe gjithë institucionet që u përfshinë në groteskun me agjentë rusë e ukrainas.
Kjo histori me agjentë e servirur me bujë 9 muaj më parë është një mësim jo për autoritetet se më lehtë jetojnë pa oksigjen se pa propagandë, por për gazetarët. Tjetër rast që provon se shenja e parë që autoritetet gënjejnë është kur hapin gojën.
Deri më tani, thonë kinezët, i vetmi që na ka lënë me gojë hapur është ..dentisti. Këtu përveç dentistit të lënë me gojë hapur edhe “raportimet pasionante të gazetarëve që i referohen me përpikmëri burimeve zyrtare.
Pyetja sot është dhe për ta: ku firuan agjentët rus?