Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka nisur hetimin disiplinor pas akteve të dhunës ndaj arbitrave në përfundim të ndeshjes Tirana-Bylis ditën e djeshme. Tirana do duhet të luajë pa tifozë për 90 ditë deri në marrjen e një ndëshkimi përfundimtar.
“Çeljen e hetimit disiplinor për aktet e ndodhura në ndeshjen e javës së 35-të të “Abissnet Superiore” midis KF Tirana dhe KF Bylis. Marrjen e masës së përkohshme të zhvillimit të ndeshjeve të KF Tirana pa spektator për një afat 90 (nëntëdhjetë) ditor në përputhje me Nenin 91 të KDS deri në marrjen e një sanksioni përfundimtar”, thuhet në vendimin e Komisionit të disiplinës dhe Etikës.
Ndëshkime ka edhe për disa futbollistë të Tiranës. Më e rënda është për futbollistin Besir Iseni, i cili është dënuar me 2 vjet pezullim nga aktivitetet pasi ka pështyrë zyrtarët e ndeshjes.
“Lojtari i KF Tirana, Besir Iseni, për pështymjen ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/c të KDS, dënohet me 24 (njëzet e katër) muaj pezullim nga të gjitha aktivitetet”.
Për portierin e kryeqytetasve Visar Bekaj ka një ndëshkim me 1 vit pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe një gjobë prej 100 mijë lekësh.
“Lojtari i KF Tirana, Visar Bekaj, për nxitje të urrejtjes dhe akteve të dhunës, në bazë të nenit 51/1 të KDS, dënohet me 12 (dymbëdhjetë) muaj pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë”.
Për 4 futbollistë të tjerë dhe 3 zyrtarë është aplikuar ndëshkimi me nga 4 deri në 8 ndeshje pezullim.
“Lojtari i KF Tirana, Albano Aleksi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashte) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
Lojtari i KF Tirana, Aldi Gjumsi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
Lojtari i KF Tirana, Bruno Lulaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
Lojtari i KF Tirana, Florent Hasani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet 4 (katër) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
Zyrtari i KF Tirana, Arzen Vocaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
Zyrtari i KF Tirana, Kostandinos Jani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
Zyrtari i KF Tirana, Marvi Kastrati, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet”.
Sfida Tirana-Bylis e luajtur në Rrogozhinë të enjten përfundoi me rezultatin 2-2. Përfundimi i dha mundësinë Partizanit që të marrë kreun e renditjes së kampionatit shqiptar kur ka ngelur edhe 1 ndeshje për t’u luajtur. Por ajo që shkaktoi incidentin ishte një penallti e diskutueshme e arbitrit kryesor Kridens Meta. Kjo penallti çoi në barazimin e rezultatit.
Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e Tiranës hynë në fushë dhe goditën arbitrat. Po ashtu, dhunë ndaj tyre ushtruan edhe lojtarë dhe zyrtarë të bardhebluve. U desh ndërhyrja e policisë për të shoqëruar deri në dhomat e zhveshjeve arbitrat. Pas incidentit, policia informoi se ka shoqëruar disa tifozë.
Vendimi i përkohshëm ndaj Tiranës do të thotë që sfidën e fundit ndaj Erzenit, do ta luajë pa tifozë. Por po ashtu, ajo nuk do të ketë organikë as disa prej lojtarëve kyç. Dy skuadrat e kryeqytetit janë me pikë të barabarta, por “demat e kuq” kanë fituar në përballje direkte. Gjithçka do të varet si do të shkojnë sfidat e fundit, me Partizanin që do të sfidojë Teutën.