Në qytetin ku nisi karrierën politike mbajti fjalimin e parë pas fitores për mandatin e tretë si President i Turqisë. Rexhep Tayip Erdogan i nisi festimet nga Stambolli. Para se të niste fjalimin, i kënaqur me rezultatin, këndoi vetë këngën e fushatës.
Teksa falënderoi qytetarët për besimin procesin e cilësoi një festë demokracie. Premtoi se do të realizojë premtimet e dhëna duke punuar për ndërtimin e Turqisë së Madhe.
Pas Stambollit, festën e zhvendosi në kryeqytet. Erdogan falenderoi qytetarët edhe nga pallati presidencial në Ankara.
Në mesin e turmës valëvitej edhe flamuri shqiptar si dhe u shfaq një pankartë me mbishkrimin “Selam nga Shkodra”.
Në raundin e balotazhit Erdogan mori mbi 52% të votave, pak më shumë se 4% të votave se rivali i tij Kemal Kilicdaroglu. Kandidati i opozitës doli para mediave dhe deklaroi se Turqinë e presin ditë më të këqija. Ai tha se do të vijojë përpjekjet për forcimin e demokracisë në vend.
Raundi i balotazhit kaloi qetë dhe nuk u shënuan incidente. Kjo ishte hera e parë që në Turqi presidenti përcaktohet në balotazh.