Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar këtë të hënë projektligjin për rritjen e pagave.
Presidenca në një njoftim zyrtar shkruan: “Të nderuar, referuar interesit të medias mbi dekretimin nga ana e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Bajram Begaj të paketës së plotë të reformës së pagave, më poshtë gjeni të firmosura ditën e sotme 3 dekretet përkatëse:
Dekreti i parë përmban ndryshimin e statusit për gjyqtarët dhe prokurorët. I dyti, ka të bëjë me ndryshime për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, por të krijuara me ligj. Ndërsa dekreti i fundit, me ndryshimin e pagave për administratën publike si dhe pagës bazë minimale në shkallë vendi”.
Kujtojmë se rritja e pagave për administratën publike, deputetët dhe ministrat u miratua në Kuvend vetëm 4 ditë më parë.
Kuvendi i Shqipërisë e miratoi me 95 vota pro, 3 kundër, asnjë abstenim, projektligjin për rritjen e pagave të punonjësve të administratës, ku përfshihen edhe funksionarët e lartë shtetërorë, nga Presidenti te kryeministri, ministrat dhe deputetët.
Paga që merret në referencë, është ajo e Presidentit të Republikës e cila shkon në 425 mijë lekë dhe përcakton të gjithë piramidën e pagave.