Rexhep Tajip Erdogan shtrin pushtetin në dekadën e tij të tretë, pasi siguroi fitoren ndaj rivalit Kemal Kilicdaroglu, në balotazhin e paprecedentë presidenciale, në një votim që reflektoi polarizimin e theksuar politik në Turqi.
Pavarësisht inflacionit të lartë që ka goditur vendin dhe kritikave pas tërmetit që rrafshoi qytete të tëra, Erdogan triumfoi me mbi 52 për qind të mbështetjeve ndërsa Kilicdaroglu mori 47,86 për qind.
Ende pa u konfirmuar rezultati, qindra mijëra mbështetës të liderit turk shpërthyen në festë mes brohorimave. Erdogan foli fillimisht në një autobus jashtë shtëpisë së tij në Stamboll, e më pas nga ballkoni i pallatit presidencial.
“Si pjesë e përgjegjësisë që populli ynë na ka dhënë, ne nuk jemi të zemëruar apo mërzitur me askënd. Tani është koha të lemë mënjanë debatet dhe konfliktet lidhur me zgjedhjet dhe të bashkohemi rreth qëllimeve dhe ëndrrave të përbashkëta”, tha Erdogan pas fitores.
Por thirrja e tij për unitet u duk si hipokrizi, teksa përqeshi kundërshtarin Kilicdaroglu për humbjen duke thënë “mirupafshim Kemal” dhe vuri në shënjestër liderin kurd dhe komunitetin LGBTQ.
Sakaq, opozitari, Kilicaroglu nuk e pranoi në mënyrë të drejtpërdrejtë humbjen dhe u ankua për ato që i quajti zgjedhjet për të padrejta të viteve të fundit. “Kemi përjetuar zgjedhjet më të padrejta në vitet e fundit. Të gjitha mjetet shtetërore u mobilizuan për një parti politike. Të gjitha mundësitë u vunë nën këmbët e një njeriu të vetëm”, tha ai.
Ky mandat i tretë forcon edhe më tej rolin e Erdogan brenda dhe jashtë vendit, ndaj dhe ndikimi i rezultateve të këtyre zgjedhjeve do të shkojë shumë më larg se Ankaraja. Një prej liderëve të parë që uroi sulltanin turk, ishte kryeministri hungarez, Viktor Orban i ndjekur nga rusi Vladimir Putin që u shpreh i gatshëm të vazhdojë dialogun konstruktiv, siç e quajti. mesazhe urimi erdhën edhe nga Joe Biden dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.