Njerëz të maskuar shihen në turmat e serbëve në veri të vendit. Instituti Octopus ka fotografuar disa nga ta, derisa ka hedhur shqetësime se mesin e këtyre strukturave ilegale dhe kriminale mund të ketë njerëz që janë të gatshëm për akte terroriste.
“Struktura ilegale dhe kriminale – njerëz të maskuar në protestat në veri. Instituti OCTOPUS shpreh shqetësimin se, në mesin e protestuesve mund të ketë edhe njerëz që janë të gatshëm për akte terroriste!”, ka shkruar eksperti i sigurisë, Agim Musliu.
Siç ka thënë ai, bashkëpunëtorët e Institutit Octopus, kanë thënë se, protestuesit në terren janë duke u udhëhequr nga ish-policët e dorëhequr serbë të Policisë së Kosovës dhe anëtarë të strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”.
“Përgjegjës për pjesën e ish-policëve është Aleksandar Filipoviq, ndërsa përgjegjës për pjesën e të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’ është Milun Milenkoviq ‘Lune’”, ka shtuar ai.
Mëngjesin e sotëm, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë.
Policia e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjesëtarëve të institucionit të sigurisë së Kosovës.
Po ashtu sot rreth orës 9:00 kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, janë takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Më 26 maj, Policia e Kosovës i ka ndihmuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit për të hyrë në zyrat komunale, me gjithë kundërshtimet e ashpra të disa banorëve serbë vendas, që kanë çuar në përleshje me pjesëtarët e policisë.