Pas katër vitesh, Partizani rikthehet te titulli kampion teksa të kuqtë mposhtën në shtëpinë e tyre, Teutën me rezultatin 2-0. Ky është i titulli i 17 në histori i Partizanit.
Demat kishin fatet në këmbët e tyre dhe nuk zhgënjyen në sytë e tifozëve teksa golin vendimtar e realizoi Arinaldo Rrapaj në minutën e 38-të. Miqtë ishin të pafuqishëm për të reaguar dhe vendasit e menaxhuan avantazhin, ndërsa në minutat shtesë gjetën edhe golin e dytë me Tedi Carën duke festuar kështu titullin e 17 në histori. Për t’u theksuar edhe fakti se trajneri Giovanni Colella bëhet i pari trajner italian që fiton titullin me Partizanin.
Nga ana tjetër, Tirana duhet të kënaqet me vendin e dytë edhe pse bardheblutë fituan në ndeshjen e fundit të sezonit me rezultatin 1-2 ndaj Erzenit në Durrës.
Në ndeshjet e tjera, Vllaznia fitoi në Ballsh ndaj Bylisit vendas me rezultatin 1-2 duke siguruar kualifikimin në Europë, ndërsa ballshiotët bien një kategori më poshtë duke mos mbijetuar në elitë. Laçi fitoi me shifrat 3-0 ndaj Kastriotit, por vendasit mbeten jashtë Europës duke mos shkuar më shumë se vendi i pestë në klasifikim.
Një triumf me vlera edhe për Kukësin në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Verilindorët fituan me shifrat 0-1 teksa autori i golit ishte Shqiprim Taipi. Pas këtij rezultati, Kukësi e mbyll kampionatin në vendin e shtatë ndërsa Kastrioti e kishte vulosur rënien një kategori më poshtë.