Në pritje për të mësuar zgjedhjen për të ardhmen, të shtunën do të jetë ndeshja e fundit në Paris dhe Francë për Lionel Messin. E vështirë të imagjinohet një përshëndetje e ngrohtë për argjentinasin.
Pak zemërim, pak inat dhe shumë indiferencë. Janë ndjenjat që mund të ushqejnë në mënyrë reciproke mbrëmjen e lamtumirës së Messit nga PSG. E fundit në kampionat, mbrëmja e festës, por vetëm për titullin e 11-të kampion. Jo për të përqafuar kampionin e botës, i vërshëllyer në Paris dhe i konsideruar përgjegjës për dështimin në Ligën e Kampionëve, e vetmja gjë që kishte rëndësi edhe në Doha.
Erdhi momenti i divorcit, edhe pse në të vërtetë nuk ka qenë një martesë. ‘L’Equipe’ shkruan me ironi sot për një dashuri, por për Barcelonën, që ëndërron ta rikthejë Messin. Por llogaritë e katalanasve janë me të kuqe dhe vështirë se mund ta përballojnë pagën e 7 herë fituesit të ‘Topit të Artë’.
Ka edhe një hipotezë për Inter Majemin, skuadrën e David Beckham që prej muajsh po punon për të bindur Messin të transferohet në Amerikë. Në këtë rast Leo mund të bëhej edhe imazh për Botërorin e radhës. Messi për momentin duket se i ka dhënë përparësi rikthimit te Barcelona, por në Francë insistojnë gjithmonë e më shumë për një akord me Al Hilal, që sipas ‘L’Equipe’ i garanton lojtarit 1.4 miliardë euro në 2 vjet.
Në Paris, Messi fiton 40 milionë euro në sezon, shumë në sytë e ultrasve që e kanë konsideruar një mercenar, simbol të politikave komerciale të klubit dhe të dështimeve të shpeshta në Champions. Dy eliminimet në 1/8-at me Messin në skuadër e kanë zëruar lidhjen me tifozërinë, që në ndeshjen e fundit në shtëpi e ka vërshëllyer për çdo top të prekur.
Leo u përgjigj me lojën e tij, duke shënuar një gol, por në Strasburg. Një rekord në Francë, një rekord edhe për argjentinasin, bomberin më prolifik në 5 kampionatet kryesore të Europës, me 496 gola. Gjatë sezonit argjentinasi ka luajtur 40 ndeshje me PSG-në, ka shënuar 21 gola dhe ka dhënë 20 asiste.
Por nuk mjafton, kështu që të shtunën, në ndeshjen e fundit, me shumë mundësi do të injorohet nga ultrasit, siç ka bërë edhe sulmuesi vetë, duke dhënë shumë rrallë ndonjë përshëndetje për ta në këto dy vjet në Paris.