Igor Tudor ka paralajmëruar lojtarët e skuadrës së tij se nga sezoni i ardhshëm nuk do të jetë më në krye të Marsejës. Klubi francez dhe tekniku kroat pritet të zyrtarizojnë vendimin për të mbyllur bashkëpunimin në orët e ardhshme teksa Tudor është gjithnjë e më pranë një rikthimi te Juventus.
45-vjeçari që në të kaluarën ka qenë në rolin e futbollistit te bardhezinjtë duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit, por edhe në rolin e asistentit të Andrea Pirlos, është i preferuari i drejtuesve të klubit për të pasuar Massimiliano Allegrin që dështoi t’i dhuronte një filozofi “Zonjës së Vjetër”.
Tudor e njeh mirë ambientin në Torino dhe shihet si personi i duhur për të rikthyer Juventusin konkurrues në kampionat, teksa bardhezinjtë kanë nevojë të nisin një cikël të ri bazuar në futbollistët e rinj si Gatti, Fagioli, Miretti apo edhe Iling Junior.
Tudor u emërua në krye të Marseille në fillimin e këtij sezoni dhe ia doli të dhuronte një futboll tërheqës dhe rezultativ duke e renditur skuadrën në vendin e tretë të Ligue 1 dhe tashmë duket gati për aventurën më të rëndësishme në karrierë.