Alfons Kola ishte një klient i zakonshëm në lokalin Leonessa, përballë së cilit mbeti i vrarë me thikë pasditen e së mërkurës. Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të rrugës, në sytë e shumë dëshmitarëve, në Calcinato të Brescias. Mediat italiane sjellin edhe detaje nga ngjarja e rëndë, si dhe dëshminë e pronarit të lokalit në fjalë…
Kështu, rreth orës 18:00, Alfonsi piu kafen e tij të zakonshme, në lokalin Leonessa të Calcinato-s, ku ishte klient i shpeshtë. Pati një bisedë të shkurtër me banakierin përpara se të dilte për të takuar personin që do ta masakronte për vdekje me thikë. Këto janë dhe lëvizjet e fundit të Alfons Kolës, 33-vjeçari i cili u shua në spitalin e Brescia-s, gjatë orëve të natës për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë, nga bashkatdhetari Petrit Gega, 52-vjeç.
Rruga në të cilën ndodhej lokali u shndërrua në pak minuta në një skenë krimi. Momente dramatike të kapura nga kamerat e sigurisë dhe të rrënjosura në kujtesën e pronarit të lokalit, i cili ishte dhe personi që njoftoi karabinierët, në orën 18:25 minuta.
Por çfarë ndodhi? “Fonsi, siç e njihnim të gjithë, sapo kishte dalë nga dera e lokalit tim për t’u takuar me një burrë që askush nuk e kishte parë më parë. Disa klientë i panë fillimisht të bisedonin e më pas të diskutonin. Fonsi ia mbathi drejt sheshit Europa, ndërkohë që tjetri e ndiqte. Nga pamjet e sigurisë, (që tani janë në duart e karabinierëve) shihet duke u përpjekur që të fshihet pas një makine, ndoshta sepse ishte i plagosur”, rrëfen pronari i lokali.
Gjithçka ndodhi në pak momente, aq sa asnjë prej personave që ndodheshin në vendngjarje nuk e vunë re që autori i dyshuar kishte një thikë të madhe kuzhine në dorë, të cilën e la mbi asfalt, dhe që është sekuestruar nga policia. Alarmi u dha në momentin kur 33-vjeçari u shtri përtokë i mbuluar nga gjaku.
“Unë isha brenda në lokal dhe nuk e pashë drejtpërdrejt skenën. Disa klientë u futën me shpejtësi brenda nga paniku duke më thënë që të merrja në telefon emergjencën për shkak se Fonsi ishte në tokë i gjakosur”, tregon i zoti i lokalit.
“Dhe kështu veprova, pastaj dola. Rreth tij ishin mbledhur disa persona që po përpiqeshin ta ndihmonin. Ambulanca erdhi rreth 20 minuta më pas. Telefonuam dy herë duke parë se situata ishte e rëndë. Na thanë se po vinin dhe na këshilluan që të përpiqeshim t’i izolonim plagët në mënyrë që të parandalonim gjakderdhjen dhe kështu bëmë, me aq sa mundëm. Më pas erdhën shërbimet e emergjencës që e transportuan me helikopter në spital”, rrëfen ai më tej.
Viktima Alfons Kola, ashtu sikurse autori i dyshuar Petrit Gega janë të dy fshati Kallmet i Lezhës. Familjet e tyre mësohet se janë fqinjë dhe kanë pasur marrëdhënie të mirë mes tyre
Sipas mediave italiane, në mesin e pistave që karabinierët po hetojnë, nuk përjashtohet ajo e borxheve apo për një grua. Ata që e njihnin Alfonsin shprehen të tronditur nga ngjarja e rëndë dhe kanë fjalët më të mira për të: “Fonsi ishte një djalë shumë i mirë, ishte klient i zakonshëm i joni, gjithnjë i qeshur me të gjithë. Nuk ma merrte mendja kurrë që mund t’i ndodhe një tragjedi e tillë”, shprehet për mediat, një vajzë që e njihte të riun shqiptar.