Kuvendi i Kosovës mban sot një seancë të jashtëzakonshme kur diskutohet në lidhje me situatën në veri. Kryeministri Albin Kurti u shpreh se “sulmi në veri ishte i “parapërgatitur” dhe se për këtë “kërkohej pretekst”.
Teksa bëri një përmbledhje të shkurtër që nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mënyra si u vendos të mbaheshin e deri tek rezultati, u shpreh në fund se Lista Serbe ka braktisur institucionet në veri dhe parlamentin. Autor të sulmeve në veri, Kurti bën Beogradin zyrtar.
“29 Maj ditën e hënë, një pjesë e mirë e bandave kriminale që ishin me gjasë në tubimin e Vuciç më 26 Maj u kthyen të organizuar për ta eskaluar situatën. Eskalimi i situatës ishte i planifikuar, i mirëorganizuar dhe kishte autorë. Autor është Beogradi zyrtar. Ngritja e shqetësimeve të shumta për eskalim të situatës bëri që Serbia të ngrejë grupe kriminale që ta eskalojë situatën”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, gjatë gjithë hallkave të procesit ka pasur konsultim me ndërkombëtarët. Hallka e fundit sipas tij ka qenë shkuarja e kryetarëve të zgjedhur në komuna. E për këto të fundit thotë se i takojnë Republikës së Kosovës.
“Ka pasur jo vetëm konsultim, por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtar. Ka qenë një proces me shumë hallka dhe hallka e fundit ishte shkuarja e kryetarit me çantë në vendin e punës. Pasuria e objekteve publike i takojnë Republikës së Kosovës. Përdorimi i tyre rregullohet me ligj në Kuvend”, u shpreh Kurti.
Sipas kryeministrit të Kosovës, serbët i kishin braktisur zyrat kur atje kanë shkuar kryetarët shqiptarë.
“Ata nuk i duan ndërtesat, ata po dëshirojnë që as ne mos t’i duam ato. Unë kam pasur hall që kur vjen puna po hyn kryetari çka do të bëjnë serbët që janë administratë brenda, por ata i kishin braktisur ndërtesat. Natyrisht që aty hyn kryetari po kush tjetër? Strukturat paralele nuk i duan ndërtesat zyrtare”, u shpreh Kurti.
Sa i përket protestave ai tha: “Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në protesta janë pjesë e grupimeve të tilla. Shumë qytetarë serbë janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulme të tilla kriminale”.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme plenare, Kurti u shpreh se ndërkombëtarët nuk mund të kenë të njëjtën qasje për Kosovën dhe Serbinë.
“Për vite me radhë nga partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë na është thënë që kërcënimi më i madh për Kosovën është shkalla e lartë e korrupsionit dhe krimi i organizuar që na i pengon sukseset e Kosovës. Kemi dëshmuar që jemi partnerë të denjë të miqve tanë ndërkombëtarë me avancimin demokratik e ekonomik të Kosovës. Ajo që i bën bashkë partnerët tanë ndërkombëtarë janë vlerat e përbashkëta dhe besimi se këto janë universale që duhet të mbrohen me çdo kusht. Qeveria ime beson thellësisht në miqësinë e përhershme me SHBA, shtetet e BE-së dhe më gjerë. Ne jemi thelbësisht transaltlantikë. SHBA dhe BE-ja bashkë me njëra tjetrën dhe bashkë me ne, por qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë. Serbia është vend autokratik, nuk është vend demokratik. Rusia e ka Serbinë qendrën e saj rajonale”, u shpreh Kurti.
Kurti shprehu keqardhje për sulmet në veri ndaj policisë, KFOR dhe gazetarëve. Po ashtu, ai falenderoi në veçanti forcat e policisë, që sipas tij, “mbrojtën Kushtetutën dhe ligjin”.
“Ndjej keqardhje maksimale për sulmet që ndodhën dhe po ndodhin ndaj anëtarëve të policisë sonë, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve. Shpreh falenderimin tim për të gjithë, për kurajon dhe sakrificën dhe në veçanti për anëtarët e policisë sonë që në mënyrë të dinjitetshme patriotike dhe të përgjegjshme po e mbrojnë kushtetutën dhe ligjin në shtetin e tyre të pavarur ku shërbejnë me përkushtim”, tha Kurti.
Sa i përket protestave, për Albin Kurtin, ato janë të drejtuara nga Beogradi.
“Protestat vijnë prej poshtë. Këto nuk janë protesta prej poshtë, këto janë protesta prej lart. Që domethënë që nuk janë protesta. Nuk ka asgjë autentike në ato protesta. Nuk janë vullnet i popullit ato. Janë direktivë e Beogradit. Më vjen keq për qytetarët serbë që detyrohen të dalin në këto protesta sepse unë mendoj që ata sot janë njerëzit më të palirë në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.
Duke folur për qytetarët serbë që jetojnë në veri ai theksoi se “ata duhet të çlirohen nga kjo milici fashiste dhe Republika e Kosovës me policinë e saj dhe organet e saj po bën këtë gjë. Sot nuk është në pyetje çlirimi i Kosovës. Sot është në pyetje çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste. Ne duhet t’i ndihmojmë serbët që të çlirohen nga milicia fashiste”.