Festë në Shijak për qëndrimin e Erzenit në Kategorinë Superiore. Skuadra shijakase arriti të mposhte 2-1 Korabin pas 120 minutave lojë në finalen e play out-it të zhvilluar në “Niko Dovana”.
Një objektiv i arritur në “frymën e fundit” nga një skuadër që gjatë dy fazave të para u konsiderua “Hirushja” e Superiores, por që zhgënjeu në pjesën e dytë të sezonit duke rrezikuar madje edhe rënien direkt në javën e fundit.
Sa i përket kronikës së ndeshjes, Erzeni shënoi i pari me Sadikin që në minutë ne katër, por në të 20-tën Korabi u kundërpërgjigj me Tabakun.
Për minuta të tëra, pavarësisht epërsisë së shijakasve, ky rezultat mbeti i pandryshuar, aq sa për të përcaktuar fituesin u nevojit shtesa (dy kohë nga 15 minuta).
Në minutën e 97-të, Adnard Mehmeti realizoi golin e fitores për Erzenin. Futbollistët e Korabit bënë gjithçka kishin mundësi për ta çuar ndeshjen te penalltitë, por e patën të pamundur për të shënuar një tjetër gol.
Gjithsesi, Korabi duhet përgëzuar për rrugëtimin që pati në këtë sezon, teksa në play off-in e Kategorisë së Parë eliminoi Tomorin dhe Flamurtarin.