Kreu i Grupit Parlamentar i PD-së Gazment Bardhi i ka kërkuar ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu që të japë dorëheqjen pas arrestimit për korrupsion të sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro.
Në fjalën e tij në Kuvend ai nënvizoi se korrupsioni është problem kyç në vendin tonë dhe kjo duhet të ndryshojë.
“Këto ditë mësuam se qeveria ka rritur tarifën e korrupsionit, ka shkuar 40%. Kryeministri njihej si MR.10%. Sot kemi një kryeministër me një etje të pakufishme për pushtet. Duan të besojnë se është një rast i izoluar. Populli thotë se peshku qelbet nga koka. Aty ku ka vullnet, presioni ushtrohet me të vërtetë. Merrni rastin e Moldavisë, atje po ushtrohet luftë të vërtetë kundër korrupsionit. Shqipëria në fakt është vite dritë ndaj Moldavisë. Edi Rama nuk ka bërë asgjë për të luftuar korrupsionit. Cili nga ju sot do të dalë që tarifa e korrupsionit nuk është 40%? Na mjafton ne ky rast i SPAK, ndaj në vend që ta sulmojmë duhet ta inkurajojmë.
S’ka asnjë shpresë që diçka në këtë vend të ndryshojë për mirë. Korrupsioni është problem kyç dhe duan që kjo të ndryshojë. Çfarë vlere ka rritja e pagave kur korrupsioni mbizotëron? Mos harroni nga 10% kur e mori për herë të parë pushtetin, e çoi në 40%. Korrupsioni na ndalon që të begatohemi. E shoh që nuk po rrini rehat në karriget tuaja, ju e ndihmoni drejtësinë duke rrëfyer rastet në kabinetet tuaja. Zonja ministre si ka mundësi që heshtët për rastin e korrupsionit të zëvendëses tuaj. Do ishte në nderin tuaj të jepni dorëheqjen e të tregoni me fakte që nuk jeni bërë pis. E humbët këtë shans”, tha ai.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se arrestimi i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë që ajo drejton për korrupsion, është ngjarje e rëndë dhe duhet që drejtësia të çojë hetimet deri në fund.
Në fjalën e saj në Parlament, Manastirliu u shpreh se kushdo që shkel ligjin duhet të përballet me drejtësinë dhe se përgjegjësia është personale.
“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë. Jo vetëm për këtë ngjarje, nga e cila si institucion, distancohemi plotësisht. Është qëndrimi që kemi patur, kemi dhe do të kemi gjithmonë për çdo rast të shkeljes të ligjit, për çdo rast të abuzimit me detyrën, çdo rast të shpërdorimit të saj dhe besimit të dhënë! Cilido që shkel mbi këto parime, duhet të përballet me pasojat që parashikon ligji!
Ky është qëndrimi im! Ky ka qenë qëndrimi dhe bindja ime që nga dita e parë që kam marrë përsipër të shërbej në institucionet publike. Është padyshim një ngjarje e trishtë dhe e rëndë. Organet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre, rasti duhet të hetohet deri në fund dhe më pas nëse del ashtu sikurse dyshimet janë të përballet me pasojat.
Çdo person, çdo individ ditën që merr besimin dhe bashkë më të, dhe detyrën e lartë në shërbim të publikut, merr automatikisht dhe përgjegjësinë para ligjit. Dhe përgjegjësia është indiviuale! Veprimet e askujt nuk mund të baltosin punën dhe tërësinë së punonjësve të një institucioni.
Kjo është arsyeja përse e iniciuam reformën në drejtësi. Kemi zgjedhur një rrugë e cila nuk ka as kthim prapa e as kompromis. Që para ligjit, të gjithë të jenë të barabartë! Para ligjit të gjithë të përgjigjen njësoj!
Unë e kuptoj që djathtas, jo të gjithë, e keni të vështirë ta kuptoni dhe ta përtypni këtë! E keni të vështirë, se në atë xhunglën e pushtetit tuaj, kur e kishit, kush shkelte ligjin merrej në mbrojtje!
E keni të vështirë sepse atëherë, kush ishte në hetim, vazhdon të drejtonte institucione të rëndësishme financiare, edhe nga shtëpia. Kush vriste merrej dhe strehohej në institucione të larta të shtetit. Kur prokuroria vepronte, i hidheshit në fyt, i shpallnit luftë, u vinit epitete të turpshme drejtuesve!
Ndaj, sigurisht që sot nuk e kuptoni dot ju qëndrimin tim dhe qëndrimin tonë për këtë gjë:
Të cilin po j’ua përsëris: Të gjithë të barabartë para ligjit! Ky është qëndrimi im! Ndërsa zakoni juaj tashmë dihet, ju do bëheni, e keni treguar këtë dhe e tregoni vazhdimisht, edhe prokurorë, edhe gjykatës, edhe avokatë, në çdo ngjarje doni ta bëni dhe doni ta vërtisni sigurisht politikisht, sepse kështu ju intereson. Por falë Zotit sot kemi drejtësi. Kemi organe drejtësie të pavarura, të cilat, ndryshe nga ju, unë i respektoj dhe për këtë, fjalën e fundit e thotë drejtësia”, u shpreh ministrja Manastirliu.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro dhe një zyrtare tjetër e kësaj Ministrie, u arrestuan për korrupsion në një tender. Bashkë me to janë arrestuar dhe administratori i kompanisë Vladimir Topi dhe inxhinier i firmës, Silvi Shehi, që kishin fituar tenderin për supervizimin dhe rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës.
Sekretarja e Ministrisë kishte marrë 330 mijë Lekë të reja ryshfet nga kjo kompani.