Në interpelancën me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, në lidhje me kalimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike te Akademia e Shkencave, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, tha se qeveria shkriu Albanologjinë për t’i plotësuar dëshirën Skënder Gjinushit.
Duke treguar disa foto të vjetra të Gjinushit, Zhupa tha në foltoren e Parlamentit: “Këtu është ish-ministri i fundit i diktaturës, Skënder Gjinushi, në vitin 1987. Në foton tjetër, duke pritur studentët, në vitin 1990. Gjinushi nuk e fshehu kurrë që donte ta mbyllte Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe ta bënte aneks të Akademisë së Shkencave. Qeveria bëri një VKM për të plotësuar dëshirën politike Skënder Gjinushit, bëri një VKM duke shkelur ligjin dhe u shkri Akademia e Studimeve Albanologjike”.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, iu përgjigj deputetes demokrate duke i kujtuar se ajo gjithmonë i është drejtuar me fyerje Akademisë së Shkencave: “Si mund të urrehet një institucion i tërë nga inati personal që keni me një individ, profesor Skënder Gjinushin, i cili është zgjedhur me votat e akademikëve? Nuk është zhdukje, por bashkim dhe riorganizim i Akademisë së Studimeve Albanologjike. Nga 55 anëtarë të Akademisë së Shkencave, gati gjysma janë punonjës aktualë të Akademisë së Studimeve Albanologjike”.
“I është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme të riorganizohet konform ligjit. Unë në qershor 2021 i jam drejtuar kësaj akademie që të riorganizohet në përputhje me ligjin, por asnjëherë nuk kanë pranuar ta bëjnë këtë gjë. Nuk justifikohet shkelja e ligjit. Ligji e thotë qartë që një akademi duhet të ketë një fakultet. Nuk ka mësimdhënie, nuk ka studentë… Ka 8 vite që nuk ka asnjë student. Ligji thotë që duhet mbyllur institucioni nëse ka 2 vite pa student”, deklaroi Kushi.