Kryeministri Edi Rama thotë se është i shqetësuar për situatën që po ndodh me Kosovën për shkak të gjendjes në veri të vendit me popullsinë serbe dhe në këtë mënyrë ka dalë sot me një draft-propozim për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një konferencë të posaçme për shtyp për situatën në Kosovë, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se draft-propozimin e tij të hartuar me ekspertë të nivelit të lartë amerikanë dhe europianë ja ka përcjellë Presidentit francez Macron dhe Kancelarit gjerman Scholz.
“Dje i kam përcjellë Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz një draft të asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni dhe Presidentin e KE dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe europianë prej kohësh gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë. Kjo ditë kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës jo i Serbisë, palët nuk po merren dot vesh se kush do ta shkruajë këtë tekst. Natyrisht ky është një dokument konfidencial i cili padiskutim nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj që është një dokument i i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër se asociacioni është pjesë e organizimit të jetë në Republikën e Kosovës.
Uroj dhe shpresoj që ky material të vlejë për të çuar në një tjetër nivel dialogun dhe t’i bëjë palët që të flasin për gjëra konkrete dhe jo që të flasin me vete dhe për vete. Arsyeja pse e ndaj sot është sepse situata po bëhet alarmante dhe unë nuk mund të qëndroj spektator duke parë Kosovën si tkurret në sytë e atyre që e krijuan shtetin e Kosovës”.
Sipas Ramës, krijimi i asociacionit në Kosovë është çelësi i zgjidhjes së kësaj situate, por dhe i njohjes ndërkombëtare të Kosovës nga ato shtete të cilat nuk e kanë njohur ende, i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe i njohjes së ndërsjelltë me Serbinë.
“Në kushtet kur marrëdhëniet e aleatëve me Kosovën po marrin më shumë tone ultimative dhe kur rikthimi në gjendjen e mëparshme po rrezikon të marrë një kohë më të gjatë nëse Kosova dhe lutem që të mos ndodhë, do sanksionohet për qëndrimin e saj, unë jam këtu për të ndarë me ju një fakt të panjohur deri më sot. E kam ditur me kohë kur nyja gordiane e dialogut do ishte deri në fund asociacioni dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi duke mbajtur të hapur krizën me lloj lloj artificash politike apo teknike. Nga ana tjetër besoj çdo ditë e më shumë se krijimi i asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në OKB dhe gjithë forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjelltë me Serbinë”.
Rama: Kërcënimi nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por nga reduktimi i marrëdhënies me aleatët
Rama thotë se kërcënimi Kosovës nuk i vjen nga Serbia, por nga reduktimi i marrëdhënies me aletatët, në një nivel ku thotë se e humbura e madhe është Kosova.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama thotë se kërcënimi është vetëm në mendjet e politikanëve në Kosovë.
Edi Rama: Jam tejet i shqetësuar për tkurrjen dramatike të Kosovës në sytë e aleatëve dhe për tonet e aleatëve që mund të sjellë pasoja në shumë aspekte duke filluar nga rritja e numrit të trupave në Kosovë, që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës, ose do të thotë humbje e Kosovës në aspektin e humbjes së një shansi dhe të një mundësie për të integruar veriun në jetën e vet institucionale duke hapur rrugën që veriu të kalojë në kontrollin e trupave të huaja që do të ishte një gjë e tmerrshme nga pikëpamja e interesave tona dhe jo nga ato që shqetësohen të tjerët. Kosova ka që në 1999 që nuk është nën asnjë kërcënim, kërcënimi është vetëm në mendjet e politikanëve në Kosovë dhe është vetëm një mënyrë për të bërë politikë të brendshme duke përdorur hijen e një kërcënimi që nuk ekziston. Serbia nuk ka asnjë fuqi që t’i prekë Kosovës asnjë fije floku.
Nuk është fati i Kurtit në lojë, por i Republikës së Kosovës si e tërë. Dua vetëm suksesin e Kurtit dhe asgjë tjetër, por nuk mund të rri më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcënim i madh që nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por nga reduktimi i marrëdhënies me aleatët në një nivel ku e humbura e madhe është Kosova.