Policia ka arrestuar dy turistë anglezë, të cilët shisnin lëndë narkotike në zonën e bregdetit të jugut.
Në pranga përfunduan një 38-vjeçar dhe një 28-vjeçar, të dy banues në Londër, të cilëve iu gjet në banesën ku ishin akomoduar lëndë narkotike e llojit GHB (Gamma-hydroxybutyrate), e ndarë në 37 doza. Përveç drogës u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 2 aparate celulare.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas kishin ardhur si turistë nga Anglia në Dhërmi, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik”, tha policia.
Ky është rasti i dytë që turistë anglezë arrestohen si shitës të lëndëve narkotike. Disa ditë më parë, policia arrestoi 3 të tjerë, të cilët shisnin drogë në Dhërmi, kokainë, kanabis dhe ekstazi në zonën bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik.
Gjatë kontrollit, të arrestuarve iu gjetën 50 doza të lëndëve narkotike kokainë, kanabis dhe ekstazi, 3 celularë dhe 2 peshore elektronike. Gjithashtu u sekuestruan shuma parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, konkretisht 3 260 000 lekë, 12 110 euro dhe 2 060 paund.