Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi sot se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme të historisë së kombit shqiptar.
“Historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me momente, të cilat na mbushin me krenari, për atë çka ne shqiptarët jemi dhe vlerat që ne përfaqësojmë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionarë u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare kundër shtypjes dhe sundimit. Ishte kjo lidhje, që punoi me të gjitha forcat, për të afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje, që projektoi krijimin e një shteti shqiptar, të lirë dhe të pavarur”, tha Begaj.
“Sot, tek sa mbushen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që ëndërruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar. Por ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë. Ne kemi përgjegjësinë për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë që këto figura historike na lanë neve si trashëgim”.
“Zhvillimi dhe fuqizimi i popullit shqiptar në të gjitha trojet e tij dhe integrimi ynë në familjen e madhe euro-atlantike është një mision për të cilin të gjithë ne duhet të punojmë bashkërisht. Dhe për të përmbushur këtë detyrim jemi me fat që të parët tanë përveç gjuhës dhe kulturës na kanë trashëguar edhe miqësi të vjetra e partnerë strategjikë të besueshëm, tek të cilët mund dhe duhet të mbështetemi kurdoherë. Jo çdo gjë ka qenë e lehtë, por e ardhmja e kombit tonë do të jetë gjithnjë e më e begatë nëse ne luftojmë ndasitë dhe përçarjet mes vetes tonë, mes njëri-tjetrit, nëse ne ruajmë boshtin tonë moral, nëse nuk harrojmë te shkuarën dhe nëse përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë dhe miqësisë, vlerat e paqes dhe unitetit”.