Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shprehu ngushëllimet për vdekjen e Silvio Berlusconit, të cilin e quajti një politikan të jashtëzakonshëm.
“Për mua, Silvio ishte një njeri i shtrenjtë, një mik i vërtet. E kam admiruar gjithmonë sinqerisht mençurinë e tij, aftësinë e tij për të marrë vendime të ekuilibruara dhe vizionare edhe në kohërat më të vështira”, tha Putin në mesazhin e tij. “Berlusconi do të mbahet mend si një mbështetës i vazhdueshëm dhe parimor i forcimit të marrëdhënieve miqësore mes shteteve tona”.
Njëlloj si ish-kancelari gjerman Gerhard Shroeder, Berlusconi krijoi një marrëdhënie të ngushtë me Moskën gjatë viteve të para të Putinit në Kremlin, nga viti 2000. Të dy u bënë miq personalë të Putinit dhe u kritikuan në Perëndim pasi mbështetën aneksimin e Krimesë në vitin 2014.
Në nisje të luftës në Ukrainë, Berlusconi gjithashtu tha se Putini ishte shtyrë për të pushtuar vendin fqinj dhe se kishte dashur të vendoste në pushtet në Kiev njerëz “për së mbari”.
Në një intervistë televizive të hënën, Putini e quajti Berlusconin “politikan të klasit botëror, me të cilin pak politikanë ngjasojnë sot në arenën ndërkombëtare”.