Bota Vdekja e Berlusconi-t, “Forca Italia” në udhëkryq

Vdekja e Berlusconi-t, “Forca Italia” në udhëkryq

Vdekja e Silvio Berlusconit do të shkaktojë tronditje në partinë e tij “Forza Italia”. Analistët besojnë se kjo mund të sigurojë një shans për kryeministren Giorgia Meloni për të forcuar udhëheqjen e saj.

“Sigurisht, Forza Italia, partia e Berlusconit, ishte një parti që ishte shumë e lidhur me të, madje është e paimagjinueshme pa Berlusconin, kështu që mund të presim shumë surpriza. Ne duhet të shohim nëse partia është në gjendje të mbijetojë siç është ose nëse do të ndahet. Partia ka një besnikëri në Partinë Popullore Evropiane. Kështu që unë pres se shumë gjëra mund të ndodhin në Forza Italia, por në të njëjtën kohë, nuk pres ndryshime shumë të mëdha. Mendoj se shumica politike që qëndron pas qeverisë së Melonit është mjaft solide. Kështu që lajmi është se nuk pres destabilitet në politikën italiane, pavarësisht vdekjes së Berlusconit.”

Manjati i medias themeloi “Forza Italia” kur hyri në politikë në 1994. Partia mbështetej gjithmonë në udhëheqjen e tij karizmatike dhe e pa popullaritetin e saj të zvogëlohej vitet e fundit pasi çështjet shëndetësore kufizuan angazhimin e tij politik.

Forza Italia është aktualisht partneri i vogël midis tre partive kryesore në koalicion dhe shihet si një forcë më e moderuar në krahasim me Lega Nord të Matteo Salvinit dhe partine e Melonit. Mbështetja e 62 ligjvënësve të “Forza Italia” midis dhomës së sipërme dhe të poshtme të parlamentit është thelbësore që Meloni të mbajë një shumicë solide, por ka skepticizëm se partia mund të gjejë një lider të aftë për të shmangur një përçarje.

Giuliano Cazzola, një ish-deputet që u zgjodh në parlament në qeverisjen e Berlusconit shprehet se Forza Italia mund të vdesë me Berlusconin sepse është e vështirë ta zëvendësosh atë pasi është një monarki që përfundon me mbretin.

Analistët besojnë se anëtarët e “Forza Italia” do të tundohen gjithnjë e më shumë për të zhvendosur besnikërinë e tyre ndaj partive të tjera, duke i dhënë Melonit liri për të tërhequr ligjvënësit dhe për të zgjeruar radhët në parti.

Marrëdhënia midis Berlusconit dhe Melonit u tensionua që kur ata fituan së bashku zgjedhjet e përgjithshme vitin e kaluar. Ata patën debate të ashpra për luftën në Ukrainë dhe ish kryeministri Italian e përshkroi atë si arrogante. Por mënyra se si Berlusconi i dha formë bllokut të djathtë në dekadat e fundit, hapi rrugën për ngjitjen e Melonit në pushtet.

Eugenio Pizzimenti, një profesor i politikës në Universitetin e Pizës, shprehet se vdekja e Berlusconit mund të krijojë terrenin që Meloni të heqë dorë përgjithmonë nga rrënjët post-fashiste të partisë së saj dhe të sjellë një forcë të re politike.

“Atyre do t’u duhej gjithashtu një rrugë e re në nivel ndërkombëtar për të treguar se janë gati për t’u bërë një parti plotësisht konservatore. Nëse Meloni e luan kështu lojën atëherë ajo do të kryesojë,” tha ai për Reuters.

Antonio Tajani, ministri i Jashtëm është figura më e lartë e “Forza Italia” brenda qeverisë, por analistët dhe politikanët dyshojnë se ai do të jetë në gjendje të marrë postin e udhëheqësit. Megjithatë, analistët nuk përjashtojnë mundësinë që një pasardhës politik i Berlusconit të dalë përfundimisht nga familja e tij, duke komplikuar përpjekjet e Melonit për të marrë udhëheqjen e partisë.

Vajza e tij më e madhe, Marina, e cila ka kryesuar kompaninë e Berlusconit Fininvest që nga viti 2005 dhe është 56 vjeç, mund të jetë gjithashtu liderja e cila do të marrë frenat e partisë në rast se familja vendos që ajo të mbetet aktive në politikë. Ekspertët shprehen se ajo do t’i shfaqte një konkurrencë të hapur Melonit për të mbrojtur partinë e babait të saj.