Fjalët e para që folën katër fëmijët kolumbianë pasi mbijetuan për 40 ditë në xhunglën e Amazonës janë zbuluar nga ekipet e shpëtimit, ndërkohë që fëmijët po shërohen në një spital ushtarak në Bogota.
Kur një grup kërkimi gjeti fëmijët e dobësuar nga kequshqyerja të premten, gjëja e parë që tha Tien Noriel Ranoque Mucutuy, katër vjeç, ishte: “Mami im ka vdekur”.
Qindra ushtarë dhe një aleancë e komuniteteve indigjene kërkuan për fëmijët e zhdukur për më shumë se një muaj pasi avioni i tyre u rrëzua në xhungël më 1 maj, duke i lënë fëmijët vetëm në pyllin tropikal.
Fëmijët u gjetën pa këpucë, të dobët nga kequshqyerja dhe shumë të lodhur për të qenë në gjendje të ecnin.
Fjalët e para nga Lesly Mucutuy, fëmija më i madh – e cila mendohet se i mbajti gjallë vëllezërit dhe motrat – ishin: “Jam e uritur”.
Më shumë detaje janë zbuluar për faktin se si Lesly përdori njohuritë që ia kishin transmetuar pleqtë e komunitetit indigjen Huitoto për t’i udhëhequr vëllezërit dhe motrat e saj më të vogla drejt mbijetesës – pavarësisht rrebesheve të rrëmbyeshme, mungesës së ushqimit dhe kafshëve të rrezikshme në xhungël.
Rezultoi gjithashtu se Lesly nxori fëmijën më të vogël, Cristin, nga avioni pas rrëzimit, sipas gjyshit Narciso Mucutuy. “Ajo pa këmbët e motrës së saj më të vogël ku ishin tre të vdekur dhe e nxori jashtë,” tha Mucutuy.
Lesly i tha familjes së saj nga dhoma e spitalit se nëna, Magdalena Mucutuy, kishte mbijetuar për katër ditë pas rrëzimit të avionit, por në fund u tha fëmijëve të saj që ta linin pas, duke i kërkuar fëmijës më të madh të kujdesej për vëllezërit e motrat e saj.
Mësimet që kishte marrë nga fisi indigjen e ndihmoi 13-vjeçaren të strehohej në pyll dhe të dallonte frutat e sigurta dhe ushqyese nga ato helmuese.
Fëmijët hëngrën Couma macrocarpa, një frut kremoz i bardhë dhe Oenocarpus bacaba, fruta të vogla që ngjasojnë me kumbullat, tha familja. Fëmijët thuhet gjithashtu se gjetën një nga 100 paketat e ndihmës që u hodhën nga ushtria nëpër xhungël.
Fëmijët – të privuar nga gjumi dhe të tmerruar nga kërcënimet e panumërta në xhunglën e dominuar nga rebelët – u larguan kur dëgjonin zërat e ekipeve të shpëtimit sepse ishin të frikësuar se mos ishin grupe të armatosura.
Babai i fëmijëve, Manuel Ranoque, i tha radios W në Bogota se fëmijët mbijetuan falë njohurive që u transmetuan nga prindërit e tyre, të cilët i kishin gjithmonë fëmijët pranë kur punonin dhe i mësonin të hanin kafshë të egra.
Fëmijët tani gjenden në spital dhe po shërohen. Disa vizatime të tyre u shpërndanë të hënën.
Midis ilustrimeve të bëra nga ata në spital ishte një që tregonte Wilson, një nga disa qen të ekipeve të shpëtimit që ndihmoi në gjetjen e fëmijëve, por ai vetë humbi në xhungël dhe mbetet i zhdukur.