Pasi kryeministri Edi Rama njoftoi se delegacioni shqiptar nuk do të marrë pjesë në mbledhjen ndërqeveritare që ishte planifikuar të zhvillohej të mërkurën në Gjakovë, ka ardhur edhe reagimi i parë nga qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu shprehet se vendimi për anulim të mbledhjes ishte i njëanshëm.
“Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, shprehet zëdhënësi i qeverisë së Kosovës.
Kryeziu nënvizon po ashtu se vendimi i Ramës për të anuluar mbledhjen do të ndikojë më së shumti te qytetarët, pasi 13 marrëveshjet dypalëshe që do të nënshkruheshin, do të mbeten pezull.
“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato”, thotë ai.
Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e së martës se mbledhja e parashikuar nuk mund të zhvillohet në formatin e planifikuar, kjo për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës, e në vend të kësaj Rama kërkoi takim më të ngushtë vetëm me Kurtin dhe ministrat e Jashtëm e të Mbrojtjes.