Aktualitet Refuzohet kërkesa për azil, Greqia miraton ekstradimin e Laert Haxhiut

Refuzohet kërkesa për azil, Greqia miraton ekstradimin e Laert Haxhiut

Drejtësia greke miraton ekstradimin në Shqipëri të Laert Haxhiut, i dënuar në Shqipëri dhe i akuzuar nga SPAK për “masakrën e Lushnjës”.

Lajmi u konfirmua nga avokati Detar Hysi, mbrojtësi ligjor në Gjykatën e Posaçme i Haxhiut.

Vendimi për ekstradimin e Haxhiut është dhënë nga gjykata e Janinës, bazuar në kërkesën dhe aktet e përcjella nga pala shqiptare.

Në të njëjtën seancë është refuzuar kërkesa për azil e Haxhiut. Sipas avokatit Hysi, vendimi i Gjykatës së Janinës do të ankimohet në Apelin e Patras.

“Do të vijojmë betejën ligjore në të gjitha shkallët e gjykimit“, tha avokati Hysi.

Në fund të muajit Maj, gjykata e Janinës dha 40 ditë në burg Haxhiun, në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë, ku e pret përballja me drejtësinë për akuzat e vrasjes dhe grupit të strukturuar kriminal.

31-vjeçari, i konsideruar nga Policia e Shtetit si një nga 5 më të kërkuarit në vend që prej vitit 2017, është dënuar për vrasje të mbetur në tentativë me 18 vjet burgim për një ngjarje të regjistruar në 2016 dhe është në gjykim, në Gjykatën e Posaçme për vrasjen e dyfishtë në Lushnjë në 2017, ku humbën jetën Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu.

Në të dyja ngjarjet, hetimi tregoi se objektiv ka qenë Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares dhe shkak dyshohet se janë bërë përplasjet e vjetra të Bandës së Lushnjes.