Kryeministri Albin Kurti ka dalë me disa foto pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ku tregon sipas tij vendin ku është bërë rrëmbimi i 3 efektivëve të policisë së Kosovës nga forcat speciale serbe.
Sipas Kurtit, ngjarja ka ndodhur 1.3 km brenda territorit të Kosovës, ndërkohë që shprehu habinë e tij se përse KFOR nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare edhe pse ka parë provat.
“Vendi ku u rrëmbyen 3 policët ndodhen 1.3 km larg prej kufirit në thellësi të territorit të Kosovës. Rrëmbimi ka ndodhur në këtë vend. Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por rrëmbim në Kosovë. Këtu në këtë zonë rruga është e ndërprerë thjesht për të ndaluar kontrabandën nga Serbia. Në vendngjarje ka qenë KFOR dhe policia dhe janë gjetur dhe gjurmët e këpucëve të huaja dhe pranga plastike. Si mund të ketë ndodhur arrestimi në Serbi, kur gjurmët janë gjetur brenda territorit tonë. Nuk e dimë se përse ende KFOR nuk del me një shpjegim zyrtar. Ky vend është në Kosovë. Dy formacione të armatosura të Serbisë kanë hyrë në territor. Ishin SAI dhe Kobra. Ata kanë vëzhguar dhe më pas rrëmbyen 3 policët”, u shpreh Albin Kurti.