Me fanellën me numrin 5 në dorë, ashtu si Zinedine Zidane përpara tij. Në këtë mënyrë, Jude Bellingham u prezantua zyrtarisht te Reali i Madridit, pasi firmosi kontratën që e lidh për gjashtë vitet në vazhdim me gjigandët spanjollë.
Fillimisht përkrah Florentino Perez, presidentit të klubit më të suksesshëm në Europë dhe më pas me podiumin të mbushur plot nga familjarët, Bellingham pozoi me fanellën e ekipit të ri.
Menjëherë pas prezantimit formal, Bellingham foli edhe për mediat, duke falënderuar familjen dhe ish-skuadrat e tij, përpara se të shpaloste objektivat e mëdhenj me Realin e Madridit.
Edhe pse ishte në shënjestër të Manchester City dhe Manchester United, 19-vjeçari anglez vendosi të transferohej në Santiago Bernabeu, te klubi që ka fituar 14 herë trofeun e Champions League.
Presidenti Perez e cilësoi Bellingham si “një prej lojtarëve më të mirë në botë” dhe nënvijëzoi se “pavarësisht konkurrencës së klubeve të tjera, mesfushori zgjodhi Realin”. Me 103 milionë euro të paguara, plus 35milionë euro në formë bonusi, Bellingham është blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit madrilen.