Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e opozitës për VKM-në e nxjerrë nga qeveria për konfiskimin e ndërtimeve pa leje.
Me një nismë të firmosur nga 28 deputetë, PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, duke e konsideruar si anti-kushtetues me qëllimin për të legalizuar katet pa leje në kullat e oligarkëve.
Por Gjykata Kushtetuese me vendimin e kësaj të enjteje e rrëzoi pretendimin e opozitës, duke e vlerësuar VKM-në si Kushtetuese.
Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave detyron pronarët e pallateve ose të blejnë katet e ndërtimit pa leje me çmimi tregu ose t’ia dhurojnë shtetit. Në të kundërt ndërtimet do të konfiskohen nga ana e qeverisë.
Bardhi reagon ndaj vendimit të Kushtetueses: Nuk i rezistoi presionit të Ramës dhe oligarkëve
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi vendimin e këshillit të Ministrave, duke rrëzuar kërkesën e opozitës. Bardhi thekson se nuk ka asnjë surprizë, pasi sipas tij vendimin e sotëm të Kushtetueses e ka shpallur Rama. Ai thotë se Gjykatat nuk i rezistoi presionit të kryeministrit dhe oligarkëve.
“Asnjë surprizë! Vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese e ka shpallur Edi Rama më 15.12.2022, ku kërkoi nga GJK të mos lajthisë dhe e sfidoi hapur duke paralajmëruar moszbatimin e çdo vendimi të ndryshëm. Për fat të keq Gjykata Kushtetuese nuk i rezistoi dot presionit dhe shantazhit të Kryeministrit dhe oligarkëve të tij! VKM-ja që legalizon ndërtimet pa leje të oligarkëve është thelbi i qeverisjes së Edi Ramës: Burg për qytetarët e thjeshtë, amnisti dhe legalizim për oligarkët”.