Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka zhvilluar një vizitë ditën e sotme në Shqipëri. Ai është takuar me homologun e tij shqiptar, Kryeministrin Edi Rama. Në fund, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes dy shteteve pati një konferencë për shtyp.
Orban falenderoi Ramën për ftesën. Ai u shpreh se ka ardhur disa herë në Shqipëri ndërsa vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Sa i përket shqiptarëve dhe hungarezëve nuk ekzistojnë vetëm marrëdhënie diplomatike, por ka një lidhje me të thellë, dhe kjo i ka rrënjët në vuajtjet që ne kemi pasur si të dyja vende, sepse edhe ne kemi pasur një sistem komunist për 40 vjet. Kjo nuk mund të harrohet. Vij me shumë dëshirë, sa herë kam mundësi në Shqipëri”, tha Orban.
Orban hodhi kritika për procesin e avashtë të zgjerimit të BE-së të cilin e konsideroi si të “turpshëm” dhe “vetëvrasës”. Prandaj, ai theksoi se Hungaria do të mbështesë gjithmonë anëtarësimin e Shqipërisë dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Por është e papranueshme dhe është e turpshme se sa avash po ecën ky proces i zgjerimit të BE-së. Pashë axhendën dhe shikoj që Shqipëria ka duruar mund të them 13 vjet për të arritur deri në fillimin e negociatave për anëtarësim. Pas 10 vjetësh nëse perspektivat janë të sakta mendoj se vetëm Gjermania do të ngelet në 10 vendet më të zhvilluara të botës sepse nëse zgjerimi i BE-së do të ecë me ritëm kaq të ngadaltë mund të them se është një ritëm vetëvrasës. Nuk e di si do t’ia bëjë Europa në të ardhmen.
Hungaria mbështet gjithmonë dhe do ta mbështesë edhe në të ardhmen anëtarësimin e Shqipërisë, integrimin të Ballkanit Perëndimor jo vetëm për arsye të miqësisë, por edhe për arsyet që përmenda të strategjisë politike dhe ekonomike”, tha Orban.
Sipas Orban, Shqipëria ka kapacitet rritjeje. Sipas tij, Ballkani Perëndimor mund të sjellë zhvillim në Europë. Kjo për arsye sepse Orban mendon që “rezervat e rritjes janë ekskluzivisht në Ballkan”.
“Si mund ta konsiderojmë sot Ballkanin Perëndimor dhe sidomos anëtarësimin e tyre në Europë? Është një problem apo mundësi? Ajo që kam dashur që them për kolegët e mi është përpiqeni të imagjinoni Europën e sotme, Sllovenia, Hungaria, Polonia, Çekia, Kroacia, nuk janë anëtarë të BE-së? Cila do të ishte pamja e zhvillimit të Europës së sotme? Nuk do të kishim rritje ekonomike. Mendoj se kemi rritje ekonomike në BE jo vetëm 0 pikë disa përqind, sepse ne vendet e BE-së, vendet e Europës qendrore dhe lindore kemi sjellë si zhvillim në Europë. Është ajo që shpresojmë se do të sjellë Shqipëria. Është ajo që ne mendojmë se do të sjellë Ballkani Perëndimor në këtë drejtim. Shqipëria ka kapacitet rritjeje dhe zhvillimi dhe Europa nuk do të ngelet pas në këtë ecje globale, në këtë zhvillim global, përgjigja është e thjeshtë, rezervat e rritjes janë ekskluzivisht në Ballkan. Nuk gjenden vende të tjera të Europës që kanë rezerva në rritje dhe zhvillim qoftë ekonomik dhe politik. Për këtë arsye kërkojmë që Shqipëria të anëtarësohet në BE”, tha Orban.
Orban nuk la pas as vlerësimet për Ramën.
“Jam i kënaqur kur takohem me dikë që është origjinal dhe autentik dhe që sjell një pikëpamje të re në politikat tona. Do doja t’ju thosha sa herë kam mundësi të vij këtu, kam edhe një freski nga ana mendore sa i përket ideve tona politike dhe shkëmbimeve që mund të kemi bashkarisht”, tha ai.
Orban siguroi se edhe në të ardhmen do të ketë investues hungarezë që do të vazhdojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.
“Edhe në të ardhmen do të gjejmë forma të tjera bashkëpunimi. Turizmi është një sektor kyç për bashkëpunimin midis vendeve tona”, tha ai.