Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se qeveria e tij është duke bërë gjithçka që 3 policët e rrëmbyer nga forcat speciale serbe më 14 qershor të lirohen sa më shpejt.
Kreu i qeverisë kërkoi mbështetjen e ndërkombëtarëve që të dënojnë Serbinë për këtë akt dhe shtoi se javën e ardhshme i dërguar i Kosovës në Beograd mund të takohet me 3 efektivët e rrëmbyer.
“Jemi duke bërë çdo gjë që ata të lirohen sa më shpejtë, të pacenuar, ndërkaq në anën tjetër ftojmë faktorin ndërkombëtar që ta dënojnë agresionin e Serbisë me 14 qershor, ku njësitë e tyre ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësiti anti-terror dhe ai Kobra i ushtrisë, tre policët tanë në Leposaviq, të cilët ndodheshin pikërisht tek një rrugë e mbyllur ilegale e kontrabandës.
Sipas të gjitha gjasave, në bazë lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, i cili përndryshe është shef i zyrës ndërlidhëse në Beograd do të arrijë t’i vizitojë këta tre policë”, tha Kurti.