Sport Tani është zyrtare, “siluri” i Asanit shpallet goli më i bukur nga...

Tani është zyrtare, “siluri” i Asanit shpallet goli më i bukur nga UEFA

Tashmë nuk ka dyshime. UEFA e konfirmon vetë. Goli i Jasir Asanit përballë Moldavisë është më i bukuri i këtij raundi takimesh në kuadër të eliminatoreve për Euro 2024.

“Goditja e bukur e Asanit fiton çmimin”, njoftoi UEFA.

Ndërkohë goli i Elmas për Maqedoninë e Veriut është renditur i dyti, i Ranos për Armeninë i treti dhe në fund ai i Bernardo Silvës për Portugalinë.

Në këtë mënyrë goli i parë i Jasir Asanit për kombëtaren shqiptare nuk kaloi pa u vënë re. Faqja zyrtare e UEFA-s organizoi një sondazh për të vendosur se kush ishte goli më i bukur i javës së tretë të eliminatorëve.

Kjo ishte ndeshja e dytë e Asanit për Shqipërinë dhe goli i tij i parë. E për këtë tha se është goli më i rëndësishëm i karrierës së tij deri më tani.

“Është goli më i rëndësishëm në karrierën time deri tani. Goli i parë me kombëtaren do e mbaj mend gjithmonë sepse është një gol shumë i rëndësishëm për mua”, tha ai pas ndeshjes të shtunën.

Shqipëria fitoi me rezultatin 2 me 0 përballë Moldavisë. Kështu kuqezinjtë morën tre pikët e para drejt rrugëtimit të tyre për Euro 2024.

Sfida e radhës e kuqezinjve është të martën përballë Ishujve Faroe.