Kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, pasi mori detyrën ditën e sotme është takuar me paraardhësin e tij, kundërshtarin në zgjedhjet e 14 Majit, Bardh Spahia. Është ky i fundit që ka shpërndarë në rrjetet sociale një postim ku ka treguar se e ka pritur në zyrë Becin.
“E bëra me kulturën e qytetarisë me të cilën jam rritur dhe e kam trashëguar prej Shkodrës time”, tha Spahia.
I ndikuar nga sulmet që mori nga militantët e Berishës për takimin me Becin, Spahia tha në takim i ka përsëritur Becit se në Shkodër pati një masakër elektorale më 14 Maj.
“Por pa dyshim në ato 10 minuta takim, i përsërita z. Beci ç’ka kam shprehur publikisht në mënyrë të përsëritur, se në Shkodër nuk pati zgjedhje, por një masakër të vërtetë elektorale, ku votat u blenë masivisht me milionat e eurove të hedhura nga pushteti, u grabitën me dhunë e kërcënime të paprecedent nga krimi i organizuar i mbështetur dhe koordinuar nga vetë shteti, të shoqëruara me retorikën shantazhuese të kryeministrit, për mosdhënie investimesh për Shkodrën. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në 32 vjet pluralizëm dhe është një njollë e errët, që do i shoqërojë, të gjithë ata që u bënë pjesë e vjedhjes dhe deformimit të vullnetit të zgjedhësve”, shkruan ai.
Ceremonia e betimit të Becit u zhvilluar ditën e sotme. Ai tha se institucioni i tij do ta ketë derën e hapur për të gjithë qytetarët pa ndasi partiake.