Ekipet e kërkimit-shpëtimit janë në luftë me kohën për të shpëtuar personat që ndodhen në nëndetësen e zhdukur gjatë eksplorimit të rrënojave të Titanikut.
Ekipet amerikane dhe kanadeze, po vijojnë punën për të bërë të mundur shpëtimin e 5 personave që ndodheshin në bordin e nëndetëses.
Mbetjet e Titanikut ndodhen rreth 435 milje (700 km) në jug të St John’s, Newfoundland dhe misioni i kërkim shpëtimit po vlerësohet tepër i vështirë.
Kush janë personat që ndodhen në bordin e nëndetëses?
Hamish Harding, një eksplorues dhe biznesmen britanik 58-vjeçar i cili është kryetar i firmës së avionëve Action Aviation
Biznesmeni miliarder pakistanez Shahzada Dawood, dhe djali i tij Suleman
Është raportuar gjerësisht se Stockton Rush, CEO i OceanGate – kompania që organizoi misionin – është në bord gjithashtu.
Eksploruesi francez 73-vjeçar Paul-Henry Nargeolet mendohet të jetë gjithashtu në bord, sipas një postimi në Facebook nga Harding para fillimit të zhytjes.
Sipas ekspertëve nëndetësja ka 70-96 orë oksigjen të mbetur, duke nisur nga ora 17:00 me orën lokale të së hënës.
Nga të dhënat paraprake duket se nëndetësja ka pësuar një defekt dhe ka përfunduar në fund të oqeanit.
Kompania “OceanGate” është e vetmja deri më sot që ofron 3 nëndetëse të afta për t’u zhytur mjaftueshëm në ujërat e Atlantikut për të parë nga afër Titanikun. Nëndetësja peshon 10 ton dhe mund të zhytet deri në 4000 metra. Ky është misioni i parë i “OceanGate” për këtë vit, ndërsa për 2024 janë parashikuar edhe 2 udhëtime të tjera 8-ditore në rrënojat e Titanikut.