Shqipëria ka kampionin e saj edhe në Lojërat Olimpike Speciale, që po mbahen në Berlin prej datës 17 qershor. Notari Gersi Troka dhuroi një performancë të shkëlqyer në garën 200 metra stil i lirë në not, duke ia dalë të marrë medalje ari.
Që në çerekfinale e gjysmëfinale, Gersi u shfaq ndjeshëm dominues, duke lënë ndjeshëm pas rivalët e tij, teksa edhe në finale ia doli të vendosë kohën më të mirë dhe të marrë medaljen e parë të Artë për Skuadrën Speciale Shqiptare.
Kjo nuk është hera e parë për notarin Gersi Troka, që ia del të marrë medalje në evente ndërkombëtare, por do të mbahet mend padyshim si medalja e parë e artë e Shqipërisë, në Lojërat Olimpike Speciale.
Skuadra Olimpike Speciale Shqiptare përfaqësohet me 10 sportistë në Lojërat e Berlinit, 5 herë më shumë se në Lojërat paraardhëse.
Ata garojnë në disiplina të ndryshme si noti, peshëngritja, basketbolli e atletika, teksa pavarësisht vështirësive të panumërta organizative, kanë vullnetin të përfaqësojnë denjësisht vendin tonë dhe madje të sjellin edhe medalje të arta.