Autoritetet në Paris po vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e dy personave, që mendohet të jenë nën rrënojat e një godine që shpërtheu dhe u përfshi nga flakët.
Shpërthimi ndodhi të mërkurën, në atë që njihet si lagjja Latine në Paris, si pasojë e të cilit, u shemb fasada e një shkolle arti, mjaft popullore mes studentëve të huaj.
Prokuroria njoftoi se të paktën 29 persona janë plagosur dhe se katër prej tyre janë në gjendje kritike.
Zyra e prokurorit të Parisit bëri të ditur se ishte ende shumë herët për të thënë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.
Por në një postim në ‘Twitter’, Edouard Civel, një zyrtar lokal, shkruante se incidenti ishte pasojë e një shpërthimi gazi. Po kështu dëshmitarët thanë për televizionin lokal ‘BFM’ se disa momente përpara shpërthimit ishte ndjerë një erë e fortë gazi.