Politika Aksioni i policisë tek MEK/ Balla i përgjigjet Berishës: Është çështje e...

Aksioni i policisë tek MEK/ Balla i përgjigjet Berishës: Është çështje e drejtësisë, Kuvendi nuk përfshihet

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur Sali Berishës në Parlament që kërkoi të futet në rend dite çështja e muxhahedinëve, kampi i të cilëve në Manzë të Durrësit u kontrollua nga policia me urdhër të SPAK dhe GJKKO.

Balla tha se çështja nuk mund të hidhet në votim për t’u përfshirë ose jo në rend dite, pasi nuk është depozituar si kërkesë. Si e tillë, sipas Ballës, nuk ka asnjë kërkesë që të hidhet për votim.

Balla theksoi se hetimi i SPAK tek kampi i MEK në Manzë është çështje e drejtësisë dhe jo e Kuvendit.

“Ka një formë për prezantimin e kërkesave të cilat paraqiten përpara seancës nuk ka asnjë kërkesë të tillë të depozituar. Ky që bën sikur i dhemb barku për atë që po heton drejtësia bën të njëjtën gjë sa herë që drejtësia bën detyrën e vet. Kuvendi as nuk mund të përfshihet dhe as të ndërhyjë në çështje që i takojnë vetëm drejtësisë. Kjo është një çështje ku Policia e Shtetit ka zbatuar pikë për pikë vendimin dhe urdhrin e prokurorisë.

Përdorimi për qëllime politike i një ngjarje si kjo është diçka që ka 32 vite që ky vend e di fare mirë që ky personi që sapo foli bën korbin dhe ndërkohë që ne na duhet të vazhdojmë me çështjet e rëndit të ditës. Nuk mund të hedhim në votim diçka që nuk ekziston. Për të ndryshuar rendin e ditës ka një procedurë, kështu që nuk ka nevojë për votim, ecim vetëm përpara me çështjet e rendit të ditës”, tha ndër të tjera Taulant Balla.