“Opozitën e dëmtove, por dështove”. Ishte ky mesazhi që kreu i “Rithemelimit” i dërgoi ambasadores Yuri Kim, në përfundim të misionit të saj diplomatik në Shqipëri.
Nga Foltorja e Parlamentit, Sali Berisha i bëri thirrje kryediplomates amerikane që t’u kërkojë falje shqiptarëve për çështjen McGonigal.
Teksa e akuzoi për mbështetjen e hapur, që sipas tij, ambasadorja ka treguar ndaj shumicës qeverisëse, Berisha tha se Kim me veprimet e saj ka dëmtuar reputacionin që ka pasur kombi shqiptar.
“Më duhet t’i them zonjës guvernatore, se në historinë e pluralizmit dhe të lirisë të këtij kombi, emir i saj do të mbetet i gdhendur si i një personi që abuzoi me pushtetin e përfaqësimit të vendit të saj. Opozitën e dëmtove, por dështove. Me bashkërëndimin me qeverinë e narkotrafikantëve të Ramës, je e vetmja ambasadore në 32 vite që largohesh nga ky vend si sekretare e PS, jo nga unë.”
Kujtojmë se në konferencën e fundit të saj për shtyp me gazetarët, teksa u pyet për Berishën dhe qëndrimet e forta që i është dashur të mbajë, ambasadorja Yuri Kim deklaroi se “SHBA sheh vetëm nga e ardhmja.”