Një 36-vjeçar dhe një 39-vjeçar janë arrestuar pasi hynë me makinë në oborrin e një shkolle publike në Berat dhe kundërshtuan punonjësit e policisë që ndërhynë për t’i larguar.
Pasi uniformat blu kanë konstatuar makinë tip “Benz” që qëndronte i parkuar në oborrin e shkollës publike gjatë pasdites, i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të tij, 39-vjeçarit me iniciale K. K. që të paraqesë dokumentet dhe autorizimin për të qëndruar në këtë ambient. Por as shoferi dhe as pasagjeri – 36-vjeçari me iniciale E.K., nuk kanë pranuar të japin dokumentet dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Për këtë shkak, shoferi dhe pasagjeri në makinën “Benz” janë arrestuar për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u ushtrua kontroll në automjetin tip “Benz”, në të cilin nuk u konstatua asnjë send i kundërligjshëm.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.