Në fakt, ai nuk donte të shkonte fare, as nuk donte të shihte rrënojat e Titanikut.
Por me sa duket nga dashuria për të atin, Suleman Dawood, 19 vjeç u ngjit në nëndetësen e vogël që supozohej t’i çonte të dy në fund të Atlantikut.
Kështu tha halla e tij në një intervistë për transmetuesin amerikan “NBC News”.
Suleman i tha asaj se ishte “i frikësuar” dhe “nuk ishte në humor” për udhëtimin për në Titanik.
Por ai donte ta bënte të lumtur babanë e tij – multimilionerin pakistanez Shahzada Dawood 48 vjeç – për ditën e babait.
Ngjarja ndodhi në Britaninë e Madhe, ku jetonte familja, të dielën e kaluar, ditën që nëndetësja u zhduk përgjithmonë.
“Po mendoj për Sulemanin, i cili ishte 19 vjeç dhe ndoshta ndihej i frikësuar” vazhdoi halla e shkatërruar Azmeh Dawood, duke shtuar:
“E kam të vështirë të marr frymë kur mendoj për ngjarjen. Ishte ndryshe nga çdo përvojë që kam pasur ndonjëherë”.
‘Absolutisht i fiksuar’ pas Titanikut
Vëllai i saj Shahzada ishte “absolutisht i fiksuar” pas Titanikut që në moshë të re, tha ajo.
Si fëmijë, ata vazhdimisht shikonin filmin “Nata e fundit e Titanikut”.
Edhe kur ajo prezantoi Shahzadën me burrin e saj, Titaniku luajti një rol: vëllai i saj e pyeti të shoqin nëse do të dëshironte të shikonte një dokumentar katër-orësh për anijen Titanik. Ai shpesh vizitonte ekspozita me objekte nga mbytja e Titanikut.
Kjo është arsyeja pse ajo nuk u habit që vëllai i saj bleu bileta për turin e nëndetëseve.