Eva Buzo është gruaja e parë që ka marrë përsipër sfidën për të përshkruar Itali-Shqipëri me not por nuk është njeriu i vetëm.
Notari italian Paolo Pinto ishte i pari që tentoi, por nuk mundi ta realizonte kalimin nga Brindisi në Vlorë me not.
Avokati 47-vjeçar nga Bari mori nismën në qershor të vitit 1985, një ngjarje që u cilësua si e veçantë për kohën.
Duke llogaritur distancën prej 73 km, askush më parë nuk kishte mundur ta përshkruante me not.
Në orën 10:00, më 27 qershori i vitit 1985, Paolo Pinto nisi rrugëtimin e tij, i shoqëruar nga një grup mjekësh dhe notarësh. Mediat italiane thanë asokohe se ai nuk do të ndalonte në Vlorë, por në Karaburun.
Gjithçka shkoi mirë deri në orët e para pas mesnate, kur ai filloi të shfaqë problemet e para, pasi kishte bërë rreth gjysmën e rrugës.
Edhe kushtet atmosferike u përkeqësuan dhe era e bëri të pamundur notimin. Madje, për rreth 20 minuta, varka që e shoqëronte e humbi notarin, duke e rigjetur më pas. Në këto kushte, ekipi vendosi që Pinto të ndërpriste garën në orën 5 të mëngjesit, pas 20 orësh që notonte.
Në breg e pritën mjekët që i dhanë ndihmën e parë. Por nuk përfundoi këtu. Pinto vendosi ta vazhdonte rrugëtimin e tij disa orë pasi kishte arritur në Vlorë.
Ai e nisi rrugëtimin nga Karaburuni për në Vlorë, një distancë prej 20 kilometrash.
Pas 6 orësh ai e përfundoi rrugëtimin e tij të gjatë, edhe pse sipas tij, ky rrugëtim ishte i papërfunduar, për shkak të ndërprerjes që bëri.
Paolo Pinto, i diplomuar në drejtësi, ishte nga Pulja dhe jetonte në Bari. I datëlindjes 1937, me një fizik shumë sportiv, i gjatë 1.79 m, fillimisht në rininë e tij ushtroi sportin e basketbollit.
Më vonë iu dedikua notit, duke preferuar largësitë gjysmë të thella. Ishte pikërisht kjo disiplinë sportive, që e shtyu në vitet ’70-të të ndryshonte garimin dhe t’u kushtohej kalimeve të distancave të gjata me not. Nga ato më të famshmet, është dy herë ajo e La Manshit (33 km – 11 orë) në shtatorin e vitit 1979, ajo Kastro Marina-Fanos, Greqi, (91 km në 41 orë) dhe Korsika- Elbë (71 km për 30 orë notim). Paolo Pinto ishte i pari që ndërtoi dhe përdori kafazin antipeshkaqen që për kohën përbënte një risi në veçanti për aplikantët e këtij sporti. Në Shqipërinë e mbyllur informacioni dhe njohja për Pinton ishte e paktë, madje asgjë e saktë, pasi nuk dihej cili ishte, karriera etj. Kur u fol se një italian do të nisej nga Bari me not për në Vlorë, pakkush e besoi. Për të gjithë një nismë e tillë ishte utopi dhe e parealizueshme për disa faktorë. Por, jo për italianin dhe stafin e tij, që kishte kohë që përgatitej, i sigurt që do e realizonte këtë kalim, edhe pse vështirësitë atmosferike mund të ishin një rrezik evident për të. Dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi!
38 vite pas Paolo Pintos, një tjetër avokate me profesion mori përsipër misionin historik, duke u nisur nga Otranto për në Vlorë me not.
Ashtu si Pinto, as Eva Buzo nuk arriti të përfundonte sfidën, pasi shfaqi probleme pasi ishte futur në territorin shqiptar dhe pas 28 orësh, ajo hoqi dorë.
Të dyja historitë mbeten të veçanta pasi njihen si të vetmet raste kur dikush ka tentuar të kalojë me not nga Italia në Shqipëri.