Kryesore Rama paralajmëron goditje të fortë për bizneset me dy bilance

Rama paralajmëron goditje të fortë për bizneset me dy bilance

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar goditje të forta për ata që ai i quajti “biznese me dy bilance”.

Kryeministri e kishte fjalën për bizneset që kanë bilanc tjetër në banka dhe bilanc tjetër në tatime.

“Në janar, tradita çerek shekullore e biznesit të madh që punon me dy bilance, do të marrë një goditje të fortë, sepse qeveria do të njohë vetëm bilancet e paraqitura prej kompanive në banka. Dhe bilancet e tatimeve do të duhet të jenë të përputhura me ato të bankave, për çdo kompani. Por, qysh në ditët në vijim ne do të përsërisim apelin për të gjitha bizneset e mëdha që për një çerek shekulli janë mësuar t’ia hedhin shtetit në deklarimin e të ardhurave, e të pagave të punonjësve, të futen menjëherë në një proces të thellë dhe të shpejtë vetërregullimi”, tha Rama në komunikimin e tij javor me ndjekësit në rrjetet sociale.

Kryeministri paralajmëroi se forca e ligjit do të godasë çdo biznes që gjendet në kushtet e mashtrimit.

“Forca e ligjit do të ushtrohet më fort se asnjëherë më parë, mbi çdo biznes që do të gjendet në kushtet e mashtrimit për pagesat dhe detyrimit për punonjësit e vet. Kështu nuk mund të vazhdohet më dhe ne jemi të vendosur që kështu të mos vazhdohet më.”

Janë identifikuar afërsisht 42 mijë të punësuar të deklaruar me pagë minimale deri në 30 000 leke dhe vetëm 7 për qind prej tyre me pagë më të madhe se 130 mijë lekë. Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme, por edhe e dënueshme për kompanitë që u hanë pensionin punëtorëve dhe shmangin detyrimet ndaj arkës së shtetit. Qeveria nuk do ta lejojë këtë situatë.”