Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për të marrë pjesë në betimin si kryebashkiak i Himarës. Ceremonia pritet që të kryhet ditën e martë ku do të konsituohet Këshilli i ri Bashkiak i Himarës, i dalë pas zgjedhjeve vendore të 14 Majit.
Referuar ligjit, që mbledhja e këshillit bashkiak të quhet e vlefshme duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të zgjedhur. Që do të thotë se të martën në sallë duhet të jenë patjetër 11 nga 21 këshilltarët bashkiakë. Partia Socialiste zotëron shumicën me 9 anëtarë bashkë me aleatët e saj Social-Demokratët e Tom Doshit dhe MEGA e për rrjedhojë mbetet për të parë nëse do të marrin pjesë për të bërë konstituimin, ndërkohë që kryetari i zgjedhur vijon të jetë në burg.
Beleri ndodhet në qeli që prej datës 12 Maj ku akuzohet për korrupsion në zgjedhje.
Fredi Beleri ka kërkuar disa herë që të që të lirohet nga qelia, por kërkesat e tij janë rrëzuar nga gjykatat. Së fundmi Apeli i Gjykatës së Posaçme i ka rrëzuar Belerit dhe pretendimet për arrestim të paligjshëm dhe pavlefshmëri të përgjimeve.
Beleri akuzohet se ka dhënë para në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Ai u ndalua së bashku me Pandeli Kokaveshin, i cili u lirua nga qelia për shkak të problemeve shëndetësore.