Në një komunikatë zyrtare, Ministria e Jashtme e Greqisë ka deklaruar se mospranimi i kërkesës së kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerit për të bërë betim si kryetar i kësaj bashkie, tregon se synimi i autoriteteve shqiptare është heqja e tij nga posti i kryetarit.
Ministria e Jashtme e Greqisë: :Ky refuzim dëshmon, përtej çdo dyshimi, se qëllimi i autoriteteve shqiptare është ta privojnë atë, pa një dënim përfundimtar dhe pa u akuzuar, nga detyra e kryetarit të bashkisë, në të cilën ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët e rajonit.
Ministria e Jashtme Greke shton se si kandidate për anëtarësim në familjen evropiane, “Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe prezumimin e pafajësisë”.
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sot kërkesën e Fredi Belerit për të marrë pjesë në betimin si kryebashkiak i Himarës. Ceremonia pritej që të kryhet ditën e martë (27 Qershor) ku do të konstituohet Këshilli i ri Bashkiak i Himarës, i dalë pas zgjedhjeve vendore të 14 Majit.
Kryebashkiaku i zgjedhur kërkoi të merrte pjesë në ceremoni, i shoqëruar nga forcat e policisë dhe më pas të kthehet në qeli. Gjykata vlerësoi se një kërkesë e tillë mund të pranohet vetë në raste vdekjesh, martesash dhe provimesh. Beleri ndodhet në qeli që prej datës 12 Maj ku akuzohet për korrupsion në zgjedhje.